Valdete Daka është deklaruar sot para mediave pas vendimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani për shkarkimin e saj nga posti i Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor.
Daka deklaroi se vendimi është jokushtetues dhe i pambështetur në ligj.
“Arsyetimi jo vetëm që është i paligjshëm dhe kontradiktor, por është edhe qesharak.Për vendime të cilat janë marrë nga të gjitha anëtarët dhe të ndëshkohem vetëm se në këtë takim ajo ka kërkuar që unë të ofroj dorëheqje në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim të pranoj falënderime publike për punën e deritanishme si dhe më premtoj bashkëpunim në të ardhmen.Kjo ishte një sjellje e papranueshme për mua nga ana e presidentes Osmani. Unë i kam thënë se kam përmbushur detyrën time me integritet të lartë dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.Për të mos lejuar kandidimin e deputetëve të personave të shpallur fajtor në tri vitet e fundit me vendim përfundimtarë të gjykatës, pra vetëm një ditë pas vendimit të KQZ-së, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës kishte kërkuar shkarkimin e anëtarëve të KQZ-së, edhe pse do të duhej të ishte në krye të detyrës për mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe të inkurajonte KQZ-në për të zbatuar ligjet ajo po kërkonte nga KQZ të mos respektonte aktgjykimin e Kushtetuese. Ky presion ka vazhduar edhe më vonë nga përfaqësuesi i një subjekti politik i cili shkaktonte ndërprerje dhe bënte akuza të pabaza e që presidentja asnjëherë nuk mori mundim për të reaguar”, tha Daka, shkruan lajmi.net.
Tutje Daka shtoi se shumë prej këtyre akuzave të pabaza sot mund ti gjeni në tekstin e presidentes për shkarkimin e saj.
“Në këtë vendim presidentja ka renditur disa arsye që janë të paqëndrueshme e që nuk mbështeten në realitet që është krejtësisht i ndryshëm.Në vendimin e saj ka përmendur presionin tim në mbledhjen e KQZ-së ndaj stafit. Rrjedhën e mëtejme e dini të gjithë dhe e dini ngjarjet që kanë ndodhur.Sipas vendimit të presidentes, i bie që të gjitha vendimet e marra të KQZ-së janë marrë vetëm nga Daka e jo nga KQZ i përbërë nga 11 anëtarë. Sot ne mund të pyesim presidenten se sipas kësaj logjike a do të duhej të shkarkoheshin të gjithë anëtarët për mos-dëgjueshmëri dhe për vendimet e marra.KQZ me vendimin për aplikimin e votuesve nga jashtë nuk i ka mohuar askujt të drejtën, sepse KQZ i ka përfshirë në listën e votuesve edhe ata që nuk janë arritur të kontaktohen, e ky vendim nuk është marrë vetëm nga unë por nga të gjitha anëtarët e KQZ-së”, shtoi ajo.