Nagavci i përgjigjet Krasniqit, tash thotë se Bislimi nuk e ka nip Gëzim Tosunin

Nagavci i përgjigjet Krasniqit, tash thotë se Bislimi nuk e ka nip Gëzim Tosunin

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për punësimet familjare.

Ai ka thënë se emërimi i anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë duhet të mos bëhet në baza të lidhjeve familjare.

“Ne nuk mund të mbështesim emërime të tilla, shpresoj që Bislimi ta takojë nipin e tij pas 50 viteve sepse bashkimi familjar është i rëndësishëm, por nëse jemi përjashtuar nga ENQA për shkak të ndikimeve politike, tash mund t’ju tregojmë se asgjë nuk ka ndryshuar por vetëm është shtuar edhe ndikimi familjar”, ka thënë Krasniqi, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se nuk beson që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deri nesër nuk mund të ndikojë tek nipi i tij për të kaluar ndonjë projekt dhe për të anuluar ndonjë tjetër.

Pas fjalës së Krasniqit, ka replikuar Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila tash ka mohuar se Bislimi ka lidhje familjare me personin në fjalë.

“Në lidhje me diskutimin që është bërë për njërin nga kandidatët, për njërin nga kandidatët dhe diskutimet që janë bërë unë e kam pyetur zëvendëskryeministrin Bislimi dhe nuk e ka nip dhe në linjë të gjakut nuk e shkel asnjë kufizim siç e përcakton ligji”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka thënë se është respektuar çdo procedurë dhe afat ligjor për konkursin në fjalë.

Kujtojmë se debati ka të bëjë me propozimin e Gëzim Tosunit për anëtar të KShC-së, i cili është raportuar më herët se është nip i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.