Sulmoi fizikisht bashkëshorten dhe vajzën një vjeçare, kërkohet paraburgim për të dyshuarin

Sulmoi fizikisht bashkëshorten dhe vajzën një vjeçare, kërkohet paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente në Gjakovë, dega Malishevë, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit F.H., me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

“Prokuroria njofton se rasti ka ndodhur më 29 qershor 2021, në fshatin Ngucat, Komuna e Malishevës, në shtëpinë e tyre të përbashkët, ku i pandehuri kthehet nga puna në gjendje të dehur me një bashkëfshatar, dhe menjëherë fillon ti bërtasë bashkëshortes, L.H., për shkak se nuk po e përshëndetë atë. I revoltuar fillon e sulmon të dëmtuarën duke e goditur me shuplaka e grushte në kokë, si dhe e nxjerr jashtë shtëpisë atë së bashku me tre fëmijët, duke i shkaktuar kështu lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftimin për media.

Poashtu u theksua se në të njëjtën datë dhe vend, i njëjti pasi e godet bashkëshorten, i shkakton lëndime trupore edhe viktimës së ndjeshme, vajzës së tij një vjeçare E.H., duke e goditur atë me shuplaka në fytyrë.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit F.H., ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 29 qershor 2021.