Postimi i kryetarit të komunës së Gjilanit z.Lutfi Haziri:
Kënaqësi ta pres në takim kryetaren e Preshevës, miken time Ardita Sinani, ku kemi konfirmuar angazhimin maksimal për lehtësimin e të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me qytetarët e Gjilanit, Preshevës dhe Kosovës Lindore në përgjithësi, që banorët e këtyre dy anëve të cilët janë në lidhje familjare, të gjakut dhe miqësore, të kenë liri të qarkullimit dhe pa pengesa.
Zhvillimi ekonomik lokal është fokus i përbashkët në mënyrë që ekonomia dhe agrobiznesi të shënojnë hapa pozitiv në këtë drejtim duke aplikuar me projekte të përbashkëta në fonde dhe grante ndërkombëtare.
Në kohën e zhvillimit të bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore duhet të jetë pjesë e tavolinës dhe në interes të qeverisë së Kosovës e të mandatuarit për negociata.
Parimi i reciprocitetit dhe parimi i të drejtës për vetëvendosje i qytetarëve të këtyre tri komunave nënkupton që t’u kthehet e drejta për të jetuar në Republikën amë, por ky është proces politik që është në rifillimet e tij, në këtë dekadë të re.
Besimi im i madh është që njerëzit dhe besimi i tyre nuk mund të shkelet asnjëherë, i kalon përmasat e kërkesave të kohës dhe përmasat e ngushta të politikanëve, qofshin në Beograd apo në Prishtinë. Fudja, e drejta për të jetuar dinjitetshëm në shtëpinë e vet i takon secilit.