Janë ndërpre punimet në projektin për rehabilitimin e rrugës “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”, që është kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim -BERZH. Ky projekt është duke u përcjell me një varg parregullsish dhe dyshimesh për korrupsion.
Hysen Durmishi, zëvendës ministër në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës –MMPHI, po tenton që ridizajnojë projektin 13 milionësh që ka të bëjë me zgjerimin e rrugës në hyrje të qytetit të Ferizajt.
Pa aprovimin e profesionisteve që janë të involvuar në këtë projekt, zv.ministri Durmishi ka marrë iniciativë që të hiqen dy shirita qarkullues të rrugës, një urë dhe një nënkalim. Kjo iniciativë e tij ka ardhur pas disa zhvillimeve që kanë ndodhur e janë duke ndodhur në këtë projekt, shkruan lajmi.net.
Nën arsyetimin që ka bërë disa veprime të kundërligjshme, Ministria ia ka shkëputur edhe kontratën kompanisë kroate që ishte kontraktuar të bëjë mbikëqyrjen projektit.
Burimet e lajmi.net bëjnë të ditur se projekti është shoqëruar më disa parregullsi gjatë fazës së tenderimit dhe gjatë fazës së ekzekutimit, gjë që ka quarë në ndërprerjen e punimeve. Por, BERZH, siç ka mësuar lajmi.net, përfundimisht ka urdhëruar ndaljen e punimeve, pas disa deklaratave të autoriteteve të ministrisë të cilët deklaruan se nuk ka para për shpronësim. Punimet pritën të rifillojnë pasi ministria së bashku me BERZH të kontraktojnë një tjetër kompani për mbikëqyrjen e projektit dhe, pasi të aprovohet në Kuvendin e Kosovës, rishikimi i buxhetit 2021, i cili parasheh rritje tek kategoria për shpronësimet.
Lidhur më të gjitha këto lajmi.net ka dërguar pyetje në MMPHI, por ata kanë folur vetëm për ridizajnimin e projektit, për të cilin kanë thënë së është kërkesë e komunitetit të atjeshëm.
Kompania mbikëqyrëse punon për interesa të kompanisë, i shkëputet kontrata
Punimet për ndërtimin rehabilitimi i rrugës “Hyrja në Qytetin e Ferizajt” kanë nisur në fillim të këtij viti, ku punëkryes është kompania italiane “Via Invoria” e angazhuar të kryej 70 për qind të punëve së bashku më kompaninë në konzorcium nga Shqipëria “Victoria Invest” e angazhuar të kryej 30 për qind të punëve. Vlera e kontratës ka qenë 13.4 milionë euro.
Më pas, BERZH ka hapur ofertë publike edhe për mbikëqyrjen e rehabilitimit të rrugëve rajonale, për të cilat ishin ndarë 29 milionë euro, në mesin e tyre edhe hyrja në qytetin e Ferizajt. Ishte përzgjedhur kompania kroate, “ZG-PROJEKT doo” në vlerë prej 1,223,612.80 euro.
Projektin e ka hartuar kompania “Geo Map” me pronar, Florent Emini, po ashtu një pjesë tjetër po të këtij projekti e ka bërë kompania “Infra Plus”.
Lajmi.net ka mësuar se kompania lidere “Via Invoria” me të nënshkruar kontratën e kishte futur në mënyrë të kundërligjshme, si nënkontraktor kompaninë “PRO&CO Group” për ekzekutim të punimeve. Në këtë rast është shfaqur edhe konflikt i interesit, pasi kjo kompani është në pronësi të familjes së Florent Emini, pronarit të kompanisë projektuese, dhe se i njëjti angazhohet në kompaninë “Pro Group”.
Konzerciumi ka konstatuar që kanë dalë punë shtesë në terren, për të cilat ka kërkuar aprovimin e kompanisë kroate për aprovim.
“Pra, dyshimet e forta për keqpërdorime kanë dalë për faktin se i njëjti person ka qenë i involvuar në projektim dhe ekzekutim të projektit, dhe se më pas ka kërkuar aprovimin e punëve shtesë”, kanë bërë të ditur për lajmi.net burimet brenda ministrisë.
Siç ka mësuar lajmi.net, kompania mbikëqyrëse “ZG-PROJEKT doo” ua ka aprovuar të gjitha punët shtesë. Punët shtesë janë aprovuar për disa pozicione. Mësohet se vetëm në dy pozicione kishin dal punë shtesë në vlerë prej 1 milion euro, 700 mijë në njërin dhe 300 mijë në kërkesën për ndryshim të projektit.
Duke parë këto zhvillime, njësiti i ministrisë për projektet e BERZH, i ka rekomanduar bankës së kompanisë mbikëqyrëse t’i shkëputet kontrata për veprime të kundërligjshme të kompanisë në aprovimin e punëve shtesë. Më pas banka është pajtuar që të shkëputjen e kontratës.
Sipas ueb-faqes se ebrd.com, BERZH ka hapur ofertë të re për mbikëqyrjen e projekteve. Tenderi është në fazën e ftesës për shprehje të interesit dhe është mbyllur këtë të premte, ku ekipi i njësitit të ministrisë do të analizojë ofertat.
BERZH, anuloi projektet edhe për shkak të mungesës së parave
Në kuadër të kredisë prej 29 milionë euro, ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me BERZH është duke zhvilluar aktivitetet për realizimin e këtij projekti, i cili zbatohet përmes Njësitit për Zbatim të Projektit (NjZP). Ky projekt përfshinë: 1. Rehabilitimi i Rrugës Nacionale N 25.3: segmenti Kllokot-Gjilan, L=11.08 km. 2. Zgjerimi i Rrugës Nacionale N 25.2, hyrja në qytetin e Gjilanit, L=3.00 km. 3. Zgjerimi i Rrugës Nacionale N2:segmenti hyrja në Qytetin e Ferizajt, L=5.69 km. 4. Zgjerimi i Rrugës Rajonale R 107: segmenti hyrja ne Qytetin e Prizrenit, L=3.00 km.
Lajmi.net ka mësuar se puna është ndalur në të gjitha këto projekte për shkak të deklarimit të autoriteteve të ministrisë se nuk ka para për shpronësime. Më 11 maj, zv.ministri Hysen Durmishi kishte deklaruar se: “Aktualisht kur po flasim ne kemi borxh 182 milion euro për shpronësime në ndërkohë që në buxhet i kemi 7.2 milion euro për këtë vit. Kjo ka shkaktuar shumë probleme në realizimin e shumë kontratave sepse nuk kanë përfunduar me kohë shpronësimet dhe janë shpallur shumë kontrata pa ndonjë analizë paraprake se si do të bëhen pagesat”.
Lajmi.net ka mësuar se buxheti për shpronësime nga 7 milionë euro është rritur në 27 milionë dhe projektet pritet të rifillojnë punën, pasi të miratohet në Kuvend rishikimi i buxhetit ku do të alokoheshin paratë për shpronësim dhe pas kontraktimit të kompanisë mbikëqyrëse.
Po ashtu, lajmi.net ka mësuar, se në këtë projekt deri më tani janë shpronësuar vetëm katër parcela në vlerë prej rreth 250 mijë eurove, parcela këto të cilat kanë qenë më të shtrenjtat.
Arsyetimi i ministrisë për ridizajnimin e projektit
Hysen Durmishi po kërkon që të hiqet nga një shirit qarkullues në rrugë, në të dy anët, dhe të bëhet një shirit i ngushtë.
Në ministri kanë thënë se është kërkesë e komunitetit të biznesit që projekti të preket edhe një herë.
“Zëvendësministri Hysen Durmishi, me datë 19.05.2021 ka takuar komunitetin e biznesit në prani edhe të deputetëve të zgjedhur të zonës dhe ka dëgjuar vërejtjet e komunitetit të biznesit lidhur me këtë projekt. Sipas tyre (komunitetit të biznesit) këto vërejtje janë dhënë edhe në diskutimin publik me datë 18.01.2018 por nuk janë akomoduar në projekt përfundimtar nga qeveria e mëparshme. Pas këtij takimi jemi në proces të rishikimit të projektit i cili do te këtë parasysh situatën e re të krijuar në atë zonë duke përfshirë uljen e shpejtësisë projektuese, përfshirjen e stazes se biçikletave dhe minimizimin e ndërhyrjeve në prona të bizneseve të prekura përgjatë rrugës. Punimet do të rinisin posa të kemi zgjidhjen përfundimtare për problemet e cekura më lartë”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës –MMPHI.
Ministria nuk është përgjigjur në pyetjet tjera të lajmi.net, lidhur më shkëputjen e kontratës dhe të futjes se kundërligjshme të nënkontraktonit.
Komuna e Ferizajt: Nuk na ka kontaktuar askush nga ministria
Në komunën e Ferizajt nuk janë në dijeni për ridizajnimin e projekti, ndonëse ai po kryhet në qytetin e tyre. Thonë se deri më tani kanë bashkëpunuar me ministrinë.
Arber Bytyqi, drejtor i Infrastrukturës së Komunën e Ferizajt tha, se ata nuk kanë pranuar asnjë informatë nga ministria për ndalimin e punimeve dhe as për ridizajnim të rrugës.
“Ndërrimi i projektit nuk është në bashkëpunime më Komunën tonë. Po ashtu, edhe ndërprerja e rrugës punimeve nuk është bërë në bashkëpunim me ne. Pra, nuk jemi njoftu. Pas ndërprerjes së punimeve, kam kontaktuar kompaninë projektuese, atyre nuk u ka shkuar asnjë informatë për ridizajnim të rrugës. Sipas informatave që kam i është shkëputur edhe kontrata kompanisë mbikëqyrëse Për ne është e pranueshme çdo gjeq ë bëhet në koordinim më ne, ashtu siç është bërë që nga fillimi. Në kemi qenë në akordim të vazhdueshëm me BERZH-in për këtë projekt, përfshirë edhe ndryshimin e rreth-rrotullimit në rrugë. Pra ne, nuk kemi pranuar asnjë informatë se pse janë ndalur punimet, apo për rideizajnim të projektit”, tha Bytyqi për lajmi.net.
Tenderi qëndroi një vit pa u nënshkruar, Abrashi firmos ofertën 1 milion euro më të shtrenjtë
Në dhjetor të vitit 2020, në prani të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, kishte nënshkruar projektin për rehabilitimin e rrugës “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”.
Afro një vit qëndroi në zyrën e ministrit të Infrastrukturës ky tender. Katër muaj qëndroi në zyrën e ministrit, Lumir Abdixhiku, pasi njësia e ngarkuar prej ministrisë së Infrastrukturës për projektet e BERZH e kishte shpallur fituesin e tenderit, kompaninë italiane “Via Invoria” me 27.02.2020.
Fondet ishin të siguruar qysh herët, pasi janë hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por ministri Abrashi kishte vendosur të nënshkruajë kontratën pas gjashtë muajve që e kishte marrë detyrën, ose tetë muaj pasi ishte shpallur fituesi.
Lajmi.net kishte raportuar se në mesin e kompanive që ishin kualifikuar nga BERZH e që kishin edhe ofertë financiare më të lirë ishte një kompani kosovare afro 1 milion euro më lirë se kompania italiane.
Ministri Abdixhiku kishte hezituar të nënshkruajë kontratën, pasi vet njësia e BERZH kishte kualifikuar një kompani më të lirë dhe më pas kishte shpallur fitues një më të shtrenjtë.
Njësia e BERZH më datë 31.01.2019, ka bërë ftesë për parakualifikim. Kanë konkurruar disa kompani. Më datë 19.07.2019, është bërë njoftim për listën e ngushtë, pra janë kualifikuar si të përgjegjshme këto kompani: “Via Invoria” nga Torino e Italisë me çmim 13, 213, 742.95 euro, “Sallahu” nga Kaçaniku 12, 357, 273.77 euro, “Gjoka Construction” nga Tirana e Shqipërisë, 15, 890, 487.95, “Samcorete” nga Egjipti, 16, 261, 725.54 euro, “Papenburg&Ardiani” nga Ferizaj, 17, 487, 095.61 euro, “Eskavatori&Ilgaz” nga Ferizaj 17, 899, 817.66 euro, “Terma&Strabag” nga Tirana, 21, 977, 771.07, “Gjikuria&GPG Company” nga Tirana 25, 365, 270.40 euro.
Më pas njësia e BERZH ka bërë vlerësimin e ofertës financiare për kompanitë e kualifikuara. Më datë 27.02.2020, fitues është shpallur oferta e kompanisë italiane “Via Invoria”, që ishte më e shtrenjtë se ajo e kompanisë nga Kaçaniku “Sallahu”. Diferenca ishte për 856 mijë e 469 euro.
Sipas njoftimit për ofertë, “Kontratat do të jenë në përputhje të Politikave dhe Rregullave të Prokurimit të Bankës”. Pra, ajo është bërë sipas rregullave të BERZH dhe jo legjislacionit në fuqi në Kosovë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës ishte i ftuar edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, nga vendi i të cilin vjen edhe kompania fituese.
Lidhur për mbikëqyrjen e projekteve të BERZH, ministri Arban Abrashi e pati shkarkuar njësinë më të ardhur në krye të ministrisë.
Derisa njësia e projekteve të BEZH-it ishte shkarkuar para disa muajve, ajo është zëvendësuar me zyrtarët: Izedin Bytyqi – Sekretar i Ministrisë, Ramë Qupeva, Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore dhe Qamil Feka, Auditor i Brendshëm.
Dyshimet ishin që emërimi i sekretarit Bytyqi në këtë njësi përbën konflikt të interesit, pasi ai është zyrtari më i lartë administrativ i ministrisë, dhe se sipas kësaj i bie që ai t’i jep llogari vetës.