Postimi i plotë i konsull nderit të Shqipërisë në Hungari z.Avnija Hafuzi i cili vjen nga komuna e Preshevës:
Ëndërra ime e kahershme, vendosja e bustit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në parkun qëndror të Budapestit, në Varosliget, më në fund u bë realitet!
Shumë vite më parë e pata nisur këtë punë me ish- drejtorin e galerisë së qytetit të Budapestit, zotin Zsigmond Attila, ku midis tre propozimeve të atij , unë zgjodha kështjellën e Vajda Hunyadit.
Që prej asaj kohe përpjekjeve të mia iu bashkuan edhe bashkatdhetarë të tjerë, ku ka spikatur puna e ambasadës sonë gjatë këtyre viteve.
Këtë gjë kemi bërë edhe me emërtimin e sheshit Szkanderbeg dhe vendosjen e një pllake përkujtimore në qytetin Eger, më 15 shkurt të vitit 2000, si dhe me emërtimin e sheshit Nënë Tereza në Budapest në 22 Tetor 2012 dhe, që u kurorëzua më pas me vendosjen e bustit të saj në këtë shesh.
Si konsull nderi, e ndjej veten krenar për këto kontribute të rëndësishme në lartësimin e figurave më të shquara të kombit tonë!
Me këtë rast shpreh mirënjohjen time të veçantë për presidentët Ilir Meta dhe János Áder, kryetarët e bashkive të Tiranës e Budapesti, Erion Veliaj e Gergely Karácsony, si dhe për dy ambasadorët, Arian Spasse e Lóránt Balla!