Haiti kërkoi trupa të huaja për të mbrojtur infrastrukturën e vendit, pas vrasjes së presidentit Jovenel Moise.
Qeveria e dërgoi kërkesën te Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara, por SHBA-ja tha se nuk e ka në plan të ofrojë ndihmë ushtarake “në këtë kohë”.
Policia haitiane tha se një grup prej 28 mercenarësh të huaj vrau presidentin të mërkurën.
Pas një beteje me armë në kryeqytetin Port-au-Princ, 17 prej tyre u arrestuan.
Tre të dyshuar u vranë nga policia dhe tetë të tjerë ende po kërkohen.
Megjithëse SHBA-ja nuk do të ofrojë trupa, ajo tha se do të dërgojë zyrtarë të FBI-së dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Haiti, për të ndihmuar në hetimin e vrasjes.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të duhet të miratojë çdo plan për dërgimin e trupave ndërkombëtare nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.
Vrasja shkaktoi trazira civile në Haiti – vendin më të varfër në dy Amerikat.
Atje është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, por nuk është e qartë se kush është përgjegjës efektiv i Qeverisë së vendit.
Po ashtu është e paqartë se cili është motivi i vrasjes së presidentit Moise.
Policia tha se “skuadra vrasëse” përfshiu shumë shtetas të Kolumbisë.