Një delegacion i Koresë së Jugut, që po viziton Korenë e Veriut, takoi udhëheqësin e këtij vendi, Kim Jong Un, bëri të ditur një zëdhënës i presidencës jugkoreane.
Delegacioni 10-anëtarësh, i udhëhequr nga kreu i Zyrës për Siguri Kombëtare i Koresë së Jugut, Chung Eui-yong, ka arritur në Phenjan mëngjesin e sotëm, ndërsa më pas ka pasur drekë pune me Kimin, tha zëdhënësi për gazetarët.
Kjo është hera e parë që një delegacion zyrtar jugkorean takon Kimin.
Pas vizitës, të dërguarit e Seulit do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë muajin e kaluar se bisedimet me Phenjanin mund të zhvillohen “vetëm nën kushte të duhura”.
Duke folur më 3 mars, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të takohen me Veriun, porse Phenjani së pari duhet të denuklearizohet.
SHBA dhe Koreja e Veriut, vitin e fundit, kanë shkëmbyer vazhdimisht kërcënime për shkak të programit bërthamor të Phenjanit.
Ky i fundit ka kryer disa prova raketore dhe bërthamore.