Toby Cadman, avokat i Nasim Haradinajt ka thënë se mbrojtjes i duhet ende kohë që të përgatitet për procesin gjyqësor. Ai tha se nuk po e vonojnë qëllimisht kalimin në atë proces.
Madje avokati ka theksuar se klienti i tij ka problem të kuptojë dokumentet të cilat i dorëzohen pasi nuk janë në gjuhën shqipe.
Ai kërkoi që materialet të jepen në gjuhën shqipe, pasi klienti është shtetas i Kosovës dhe kësisoj për t’i prezantuar ato para avokatit siç duhet duhet paraprakisht ti kuptojë mirë.
“Do të na duhet edhe pak më shumë kohë që të kalojmë në procesin gjyqësor. Ne nuk kërkojmë që ta vonojmë procesin. Po bëhen 10 muaj që Z. Haradinaj ndodhet në paraburgim”, tha Cadman.
Ai tha se Nasim Haradinaj mezi po pret që të nis gjykimi.
“Ai mezi po pret që gjërat të ecin përpara”, pohoi Cadman.
Në shtator të vitit të kaluar u arrestuan dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.