BIK: Namazi i Bajramit do të falet me kapacitet të plotë nëpër xhami

BIK: Namazi i Bajramit do të falet me kapacitet të plotë nëpër xhami

Bashkësia Islame e Kosovës njofton besimtarët dhe gjithë opinionin se dita e parë e Kurban Bajramit është të martën (20 korrik 2021).

Në njoftimin për medie, BIK njofton se manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, kurse namazi i sabahut falet në ora 4.40.

Myftiu Naim Tërnava ka marrë vendim që namazi i Kurban Bajramit të falet duke respektuar masat kundër COVID-q9 dhe të shfrytëzohen objektet përcjellëse dhe hapësirat përreth xhamive.

Namazi i Kurban Bajramit do të falet në orën 5:51, ndërsa në ditën e parë, kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

Njoftimi i plotë:

“Me rastin e festës së Kurban-Bajramit e cila do të jetë këtë të martë, më datën 20 korrik 2021, duke marrë parasysh gjendjen pandemike në të cilën gjendemi, si dhe në kuadër të marrjes së masave preventive për mospërshkallëzim të mëtutjeshëm të situatës; Myftiu Tërnava në bazë të kompetencave të tij, sipas nenit 47.1 të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Republikës të Kosovës, merr këtë:

V E N D I M

1. Do të falet namazi i sabahut dhe namazi i Kurban Bajramit në të gjitha xhamitë në territorin e Republikës së Kosovës, duke i respektuar me përpikëri masat anticovid të marra nga Bashkësia Islame e Kosovës, në përputhje të plotë me masat e Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.

2. Do të shfrytëzohen edhe objektet përcjellëse dhe hapësirat përreth xhamisë për faljen e namazeve të lartcekura.

3. Të shmanget organizimi i ceremonisë së faljes së Kurban Bajramit në ambiente publike, si në sheshe, stadiume, halla sportive e të ngjashme, për shkak të vështirësisë së menaxhimit të masës së madhe të xhematit, e që bie në kundërshtim me masat anticovid

4. Falja e namazit të Kurban-Bajramit do të bëhet në orën 05:51 min.

5. Ligjërata (hutbeja) e Kurban-Bajramit nuk duhet të zgjasë më tepër se 10 minuta,

6. Ritheksojmë respektimin me përpikëri të rekomandimeve të Bashkësisë Islame të Kosovës, për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid 19, siç vijon:

a. Dezinfektimi i duarve

b. Bartja e maskës

c. Mbajtja e distancës fizike (brenda dhe jashtë xhamisë)

d. Kufizimi i numrit të besimtarëve në xhami në bazë të hapësirës së objektit

e. Shmangia e shfrytëzimit të tualeteve, abdeshaneve dhe banjove të përbashkëta në oborret e xhamive

f. Mossprezentimi në xhami i personave me sëmundje kronike, atyre që kanë simptoma të virusit dhe çdokush tjetër që dyshon se mund të infektohet apo të infektojë tjetrin me prezencë në xhami

g. Mosshtrëngimi i duarve me njëri-tjetrin me rastin e përshëndetjes dhe të urimit të bajramit

h. Moskrijimi i turmave të njerëzve dhe shpërndarja e menjëhershme e xhematit pas lutjes dhe duasë së Bajramit

K R Y E T A R I,

Myftiu Naim TËRNAVA”.