Kurti s’kthehet fare në Kosovë, në takim me Vuçiqin shkon direkt nga Franca

Kurti s’kthehet fare në Kosovë, në takim me Vuçiqin shkon direkt nga Franca

Të hënën në Bruksel mbahet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tash e nëntë ditë gjendet jashtë Kosovës, pasi fillimisht udhëtoi në Greqi për një vizitë zyrtare, e më pastaj në Francë.

Më 8 korrik, Kurti kishte udhëtuar drejt Greqisë, ku mori pjesë në një tryezë të organizuar nga “The Economist” e më pastaj ishte pjesëmarrës në simpoziumin “SYMI 2021” në Athinë.

Pas këtij udhëtimi, destinacioni i radhës i kryeministrit ishte Franca, saktësisht Festivali i Filmit në Kanë.

Por, as pas Francës, Kurti nuk do të kthehet në Kosovë, pasi nesër (e diel), ai do të udhëtojë për në Belgjikë, për takimin e radhës me delegacionin serb në Bruksel.

Kjo është konfirmuar edhe nga zyra e kryeministrit, ku njoftojnë se udhëtimi i tij bëhet për takimin e  radhës që ka me Vuçiqin, të hënën më 19 korrik.

“Kryeministri Kurti nesër do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e paralajmëruar me z.Vuçiq”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryeministrit.

Takimi i së hënës do të fillojë në orën 14:00, fillimisht delegacioni i Kosovës dhe ai serb do të takohet me ndërmjetësuesit e BE-së Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak dhe më pas do të pasojë një takim trepalësh.