Me sloganin “E para Prishtina”, kjo parti ka shpalosur listën e kandidatëve për Asamble të cilës do t’i prijë kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka listuar edhe një herë disa nga punët të cilat janë realizuar në mandatin sa ishte Kryeministër i Kosovës.
Haradinaj tha se Prishtina ka dije e intelektualë të shquar që ndikuan në tërë vendin dhe lanë gjurmë në kulturën dhe historinë e Kosovës.
“Prishtina ka rrënjë të thella e të çmuara, ka rrënjë familjet e vjetra e me traditë qytetare. Prishtina ka dije e intelektualë të shquar, që ndikuan me dijen e tyre në tërë vendin dhe lanë gjurmë në kulturën e historinë tonë”, u shpreh Haradinaj.
Tutje Haradinaj ka folur edhe për kandidatin e AAK-së për Prishtinën, Daut Haradinaj të cilin e lavdoi për kontributin e dhënë në luftë dhe paqe.
“Prishtina ka shumë punë. Këto punë i kryen veq Dauti, i cili ka vizion, ka zemër të madhe dhe ka vullnet, bashkë me kandidatet e kandidatët për Prishtinën”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se Prishtina ka gjak të ri që i vjen nga e gjithë Kosova dhe trevat shqiptare, Me mijëra të rinj, vendosin çdo vit të jetojnë këtu në Prishtinë, duke e pasuruar gjithmonë me energji të reja.
“Prishtina ka shpirt që i mbijetoi të gjitha krizave dhe tragjedive, jetoi dhe qëndroi në çdo kohë, ka shpirt që jetoi edhe në luftë, jetoi në lëvizjet e veta, në qytetarinë dhe stilin e veçantë, edhe jashtë vendit. Prishtina ka gjak të ri që i vjen nga e gjithë Kosova dhe trevat shqiptare, Me mijëra të rinj, vendosin çdo vit të jetojnë këtu në Prishtinë, duke e pasuruar gjithmonë me energji të reja. Prishtina ka vizion, resurse dhe mundësi. Prishtina është gati sot për të qenë shpresa dhe për të dhënë jetë qytetarëve të Prishtinës”, përfundoi Haradinaj.