Shoferi që humbi jetën në aksidentin tragjik në Kroaci, ka lënë pas bashkëshorten dhe tre djem

Shoferi që humbi jetën në aksidentin tragjik në Kroaci, ka lënë pas bashkëshorten dhe tre djem

Naser Sylmetaj është në mesin e 10 personave që mbetën të vdekur në aksidentin e djeshëm në Kroaci, i cili në kompaninë autobusi i të cilës pësoi aksident punonte si shofer. I njëjti në këtë kompani kishte filluar punën tashmë një vit.

Sylmetaj ishte 46 vjeçar dhe ka lënë pas vetës bashkëshorten dhe tre djemtë e tij.

Vëllai i tij, Ilir Sylmetaj, Naseri gjatë sezonit të verës kishte udhëtuar në relacionin Kosovë-Gjermani dy herë në javë, kurse jashtë sezonit vetëm një herë.

“Vëllai në kompaninë ku ka ndodh aksidenti ka punuar që 1 vit[…]Po të gjitha i kanë respektuar me pushime, me ligje sa i përket një punëtori të gjitha i ka pasur në rregull[…]Mesa e di unë ky e ka pasur dy herë në javë me shku gjatë sezonit, jashtë sezonit ka shkuar një herë në javë”, thotë ai.

Ai shpjegon për KosovaPress se lajmin për ngjarjen tragjike e morën nga agjencia ku punonte i vëllai, e që thotë se ishte një lajm tronditës për ta si familje.

“Na jemi informuar përmes agjencionit, ora ka qenë 8 e gjysmë e mëngjesit, na ka tronditur lajmi, jo vetëm për vëllain tonë por na ka tronditur lajmi gjithë tragjedia që ka ndodhur, i shpreh ngushëllime të gjitha atyre familjeve që e kanë humbur, ata që janë të lënduar u uroj shërim. Dashtë Zoti të jetë hera e fundit ky aksident, të jetë i fundit për kombin tonë mos të përjetojmë më kësi mërgimtarët”, thotë Sylmetaj.

Që nga dje, ai tregon se shtëpinë e tyre e kanë vizituar shumë familjarë e qytetarë të Gjakovës për të shprehur ngushëllime. Megjithatë, ai thotë se ende nuk e dinë se kur do të bëhet varrimi për shkak se trupi i të ndjerit nuk ka arritur ende në Kosovë.

“Shumë kanë ardhur qytetarë, nuk e kemi përcaktuar të pamën se ende nuk e dimë trupi kur do të vije, nuk mund të them kurrgjë për momentin sa do të jetë e pamja për shkak se nuk e kemi trupin hala, nuk kemi ndonjë informacion kur do të vijë trupi”, shprehet ai.

Ditën e diel, në një aksident në Kroaci kanë mbetur të vdekur 10 bashkatdhetarë, të cilët ishin nisur për pushime tek familjet e tyre në Kosovë. Shumë nga udhëtarët mbetën të lënduar, teksa trupat e personave të pajetë pritet që të vijnë në vend.