Postimi i plotë i hoxhë Nexhmedin ef.Ademi:
Vdekja sjell dhimbje dhe pikëllim. Shumë miq e dashamirë e ndanë dhimbjen me familjen e Rabit Aliut & Komandant Presheva pas lajmit për vdekjen e agës Rabit..
Ndarja fizike është e dhimbshme. Për mua më shumë se dhimbja për ndarjen fizike, është dhimbja e vërtetë për shkuarjen në pakthim i një njeriu i cili ishte shembulli më i mirë se si një luftëtar sakrifikon për ideale të larta siç janë liria dhe pavarësia e një populli.
Rabit Aliu, ishte njeri i cili në asnjë rrethanë nuk ka bërë kompromis me idealet, parimet, vlerat e larta humane të cilat me kokëfortësi i mbrojti deri në frymën e fundit.
Lakmia, jeta korruptive, pasuria në rrugë të dyshimta, familjarizmi, përfitimi nga statusi i komandantit asnjëherë nuk e lëkundën personalitetin e një njeriu me karakter dhe moral të idealeve dhe parimeve.
Njerēzit si aga Rabit iu bashkuan shoqërisë duke e vendos veten në shërbim të idealeve dhe ishte nga të paktët që e izoloi veten po ashtu në shërbim të mbrojtjes dhe kultivimit po të atyre idealeve. Më i mirë për te ishte izolimi se sa kompromisi me amoralitetin politik, kulturor, ekonomik etj, dominues në shoqërin e pas luftës në Kosovë.
Pak njerëzve ju pranohet arroganca, kryeneqësia, vullgariteti, arbitrariteti. Ne që e njohëm, sjellen e tij e mirëkuptonim, madje e xhelozonim sepse këto tipare nuk ishin veti e kerakterit egoist në nivel personal. Ai përmes këtyre sjelljeve shprehte pakënaqësinë me dinamikën e pasluftës e cila po dështonte në ndërtimin e një shoqërie me perspektiv e cila do të siguronte më shumë liri, barazi, unitet, vëllazërim, drejtësi e mirëqenie. Në fund mbeti pa miq e dashamirë. Aspak i penduar, madje krenar! Kjo ishte përshtypja ime në një nga vizitat e fundit kur kishte filluar ta mposhte sëmundja.
Ne edhe mund ta neglizhojmë kontributin e tij, por vepra madhore për çështjen kombëtare, lirinë, pavarësinë, do ta detyroj historinë t'i rezervoj vendin e merituar. Historia do te kujtoj edhe turpin e gjithë atyre që nuk u kujdesën për t'ia siguruar nderimet e fundit të merituara si rezultat i kontributit madhor komandant Rabitit - Presheva. Për mua mbetet e pakuptueshme mosprezenca në lamtumirën e fundit e institucioneve shtetërore, mediave, shoqatave të veteranëvë të luftës në Kosovë etj.
Familja mbeti pa agën Rabit, shoqëria e humbi njeriun e idealeve të larta.
Unë do të kujtoj për humbjen e njeriut që nuk u kompromitua në asnjë rast të vetëm në jetën e tij me idealet dhe parimet e vërteta. Dhimbja dhe fatëkeqësia bëhet më e kuptueshme që shoqëria mbeti pa një prsonalitet idealist i cili për një kohë të gjatë ndoshta nuk do ta kemi në mesin tonë.
Ishte kënaqësi për mua që mu dha rasti që të jem pjesë e përgaditjes së ceremonisë së varrimit që nga përgaditja e kufomës deri në përfundim të saj.
Drejtësin dhe idealin e munguar që nuk ta dha Kosova, inshalla do ta gjesh nē botën e amshueshme në Xhenetet e Allahut të Lartësuar.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqëve, dashamirëve e bashkëluftëtarëve.
Të qoftë i lehtë dheu i shqiptarisë për të cilën e shkrive tërë qenien tënde.
Allahu të shpërbleftë për kontributin dhe veprën madhore në shërbim të idealeve të larta atdhetare, fetare e njerëzore.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ju.