• E mërkurë / Jul-09 21:44
  • Kontakt

44 viktima për tre ditë, Abdixhiku-Kurtit: Ekspozitat e pikturave mund të presin pak

44 viktima për tre ditë, Abdixhiku-Kurtit: Ekspozitat e pikturave mund të presin pak

Gjatë tri ditëve të fundit janë shënuar 44 viktima nga koronavirusi në Kosovë. E për këtë gjendje alarmante të krijuar ka reaguar kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ku tha se një ditë zie e kemi çdo ditë derisa Kosova është vend i vogël për kaq shumë viktima.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook tha se Kosova është vend i vogël për t’i përballuar si asgjë 44 viktima, ku në mesin e tyre janë katër të rinj nga njëzet vjet.

‘’ Këtë gjendje shqetësuese s’mund ta normalizojmë. S’është normale. As ta politizojmë sepse në beteja si këto, as që dua të marr ndonjë votë. Por s’mund të sillemi sikurse nuk po ndodhë asgjë. S’mund ti kapërcejmë gjithë këto vdekje tragjike vetëm si numra qa na shpërfaqen në ora tre e gjysë’’, shkroi Abdixhiku ndër të tjera.

Abdixhiku tha se Qeveria Kurti po vazhdon të sillet sikur s’po ndodh asgjë, e sikur s’kanë asgjë në dorë.

Ai kritikoi Kurtin për paraqitjet e tij të shpeshta në ekspozita të ndryshme, derisa vendi po përballet me situatë kritike nga pandemia.

Ky është reagimi i plotë:

Jemi vend i vogël për t’i pasur 44 vdekje në tri ditë. Jemi vend i vogël për t’i përballuar si hiçgjë 44 tragjedi familjare nëpër Kosovë. Katër të rinj e reja, në të njëzetat, janë shuar në tre ditë nga varianti i ri.

Nga një ditë zie e kemi çdo ditë.

Këtë gjendje shqetësuese s’mund ta normalizojmë. S’është normale. As ta politizojmë sepse në beteja si këto, as që dua të marr ndonjë votë. Por s’mund të sillemi sikurse nuk po ndodhë asgjë. S’mund ti kapërcejmë gjithë këto vdekje tragjike vetëm si numra qa na shpërfaqen në ora tre e gjysë.

Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodhë; sikur asgjë s’kanë në dorë. 17 të vdekur pardje, 13 dje, 14 sot. E meqë s’po merren me pandemi, çfarë po bëjnë të gjithë aty? Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh dje e sot – në ditët kur na vdesin plot 44 qytetarë? Ekspozitat e pikturave të Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore – me të cilat duket se Kryeministri megjithatë gjenë kohë – mund të presin pak. Në vend të tyre duhet të prijë. Bashkë me Ministrin e Shëndetësisë mëngjes e mbrëmje me çdo kapacitet shtetëror vetëm me pandemi – në spitale, inspektoriat, polici e Qeveri. Barabartë me mijëra mjekë që po ballafaqohen me pandemi e me 24 mijë të infektuar që i kemi aktualisht, Asgjë tjetër s’ka sot më shumë rëndësi. Asgjë!