SHBA i dhuron Kosovës autoblinda, prezantohen të hënën

Të hënë do të prezantohen rreth 50 mjete ushtarake, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Automjete ushtarake të blinduara, të tipit  M1117 ASV (Armored Security Vehicle) pritet të prezantohen nga komandantja supreme, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së organizojnë ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit të SHBA-së me automjete ushtarake të blinduara, të tipit  M1117 ASV (Armored Security Vehicle). Ceremonia në fjalë do të mbahet në Kazermën “ Adem Jashari”, të hënën, më datë 30 gusht 2021, nga ora 11:00”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Përveç Osmanit e Kurtit, në këtë ngjarje do të jetë edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj por edhe autoritete të larta ushtarake civile vendore dhe  ndërkombëtare.