Në këtë intervistë, Vjosa Osmani ka deklaruar se kosovarët që jetojnë në Zvicër do të duhej të vaksinoheshin përpara se t’ia mësynin Kosovës për pushime verore.
Osmani poashtu deklaroi se është detyrë e autoriteteve zvicerane për të bindur emigrantët që të vaksinoheshin, derisa shtoi se numri i rasteve pozitive në Kosovë është rritur pas fluksit të mërgimtarëve nga të gjitha shtetet e huaja, përfshirë edhe Zvicrën.
“Ju flisni për emigrantët kosovarë në Zvicër. Ata janë qytetarë të vendit tuaj të cilët do duhej të ishin vaksinuar në Zvicër. Është detyrë e autoriteteve zvicerane të bindin njerëzit me rrënjë të huaja që të vaksinohen. Të gjithë këta njerëz duhet të ishin vaksinuar në Zvicër para se të udhëtonin në Kosovë. Ne kishim një nga nivelet më të ulëta të infeksionit deri në gusht, dhe numri i infeksioneve u rrit ndjeshëm me mysafirët e pushimeve nga Zvicra dhe vendet e tjera”, ka thënë Osmani për Blick.
Pas kësaj kanë reaguar nga Zyra e Presidentes Osmani, të cilët thonë se kjo deklaratë e Osmanit është devijuar.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim të saj për mediumin zviceran “Blick”, nuk e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët tanë të infektuar me Covid-19, porse ka apeluar për vaksinimim të të gjithëve. Për më tepër, zonja Osmani ka theksuar se nuk është koha për akuza reciproke, porse për angazhim të përbashkët për vaksinim masiv të të gjithë qytetarëve në Zvicër, por edhe në Kosovë.Devijimi i deklarimit të Presidentes Osmani vetëm sa i kontribuon negativisht angazhimit për vaksinim”, thuhet në sqarimin e bërë nga Bekim Kupina.