Njohësi i çështjeve politike dhe Kuvendit, Albert Krasniqi ka deklaruar se sa herë që Lëvizja Vetëvendosje tenton t’i jap shtysë përmbushjes së ambicieve për pushtet, prodhohet nga një krize.
Krasniqi ka përmendur një sërë veprimesh të Vetëvendosjes të cilat sipas tij i mundësojnë mobilizim të votuesit.
“Kështu po duket të jetë edhe tash me skenarin për shtyrje të zgjedhjeve lokale. Po luanë kartën e sigurisë, pasi nga kjo përpjekje nuk humbet asgjë”, shkroi ndër të tjerash ai në Facebook.
Postimi i plotë:
Sa herë që LVV tenton t’i jap shtysë përmbushjes së ambicieve për pushtet – prodhon nga një krizë.
Kështu ishte me provokimin e mocionit të mosbesimit. Reciprociteti aq i rëndësishëm atëherë – sot u harrua; pasi ishte vetëm pjesë e skenarit “Rënia e nevojshme për ngritjen e domosdoshme”.
Kështu ishte me insistimin për certifikimin e kandidatëve të dënuar për vepra penale. Ndonëse vet kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që personave të tillë t’u mohohet kandidimit. Qëllimi ishte të paraqitej si viktimë e pushtetit për të mobilizuar votuesit!
Kështu ishte me zgjedhjen e Presidentes nga lista e saj. Inicioi papritur ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme – për të mundësuar votimin e diasporës nëpër ambasada – me qëllim të shantazhit ndaj opozitës.
Kështu po duket të jetë edhe tash me skenarin për shtyrje të zgjedhjeve lokale. Po luanë kartën e sigurisë, pasi nga kjo përpjekje nuk humbet asgjë.
Nëse nuk ia del – në zgjedhje hynë më sigurt. Nëse numrat e rasteve me COVID-19 rriten, opozita fajësohet pasi ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve. Vetës i krijon epërsi morale dhe pastrohet nga dështimi për menaxhimin e pandemisë.
Nëse ia del – I jep kohë vetës të rikuperohet, të gjejë ndonjë kontratë të dëmshme të qeverive të kaluara – që sigurisht ka mjaftë të tilla – e të marrë ndonjë vendim për rritje pagash e shtesash që përkthehet në vota.