Vuçiq mbron “Ballkanin e Hapur”: Fitojnë të gjithë vendet, të bashkohet edhe Kosova

Vuçiq mbron “Ballkanin e Hapur”: Fitojnë të gjithë vendet, të bashkohet edhe Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mbrojti me forcë nismën “Ballkani i Hapur”. Kreu i shtetit serb theksoi se përfitimet janë të mëdha për të gjitha shtetet, ndaj ai fton edhe Kosovën që t’i bashkohet projektit.

“Sigurisht, Serbia do të përfitojë nga nisma “Ballkani i Hapur”, por edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, i gjithë rajoni. Dhe nuk ka dyshim që Prishtina nese do dëshirote të merrte pjesë dhe ata gjithashtu do të kishin një përfitim të madh.”

Vuçiç ironizoi qëndrimin e Prishtinës zyrtare lidhur me këtë nismë.

“Më duket se ata nuk e shohin mirë gjendjen e tyre ekonomike dhe se nuk e kuptojnë mirë, por çfarë të bëjmë. Mbase ata e shikojnë më mirë të ardhmen se sa unë. Por gjithsesi do të shohim rezultatin.”

Këto deklarata Vuçi i bëri pas takimit me presidentin turk, Recep Tajip Erdogan në Stamboll. Dy liderët diskutuan për zhvillimin ekonomik, investimet dhe marrëdhëniet në rajon. Temë diskutimi ishte edhe dialogu Prishtinë-Beograd, ku Erdogan shprehu mbështetjen për avancimin e këtij procesi.

“Presidenti Erdogan ka mbështetur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe beson se është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje kompromisi. Por ne nuk u fokusuam vetem tek Kosova, por tek të gjithë rajoni.”

Vuçiç njoftoi se presidenti turk do të vizitojë Serbinë brenda vitit dhe theksoi se Turqia paraqet një garanci shtesë për stabilitetin dhe ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor.