Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është faktor kyç për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është faktor kyç për konsolidimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe baza e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë”, shkruan Meta në një postim në Facebook, pas tensioneve të krijuara mes Kosovës dhe Serbisë për reciprocitetin për targat.
Sipas presidentit të dy vendet duhet të kapërcejnë tensionet e krijuara së fundmi, raporton lajmi.net.
Ai thekson më tej se Kosova dhe Serbia duhet t’u përmbahen detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura nga të dy vendet me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA.
Javën e fundit janë shtuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të Albin Kurtit për reciprocitetin me targat.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të zhvilluar dje në Beograd, presidenti Vuçiç tha se u diskutua situata pas “aksionit kriminal të Prishtinës”, ndërsa siguroi se do të ruajnë paqen dhe stabilitetin për serbët në Kosovë.
Presidenti serb shtoi se ka refuzuar propozimin për të bërë një zgjidhje kompromisi.
Ndërkohë pak orë më vonë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi përmes një postimi në Twitter deklaroi se ishte i shqetësuar nga situata e tensionuar dhe bëri thirrje që dy vendet të ruanin qetësinë.
Nga ana tjetër, si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe kryetari i Partisë Demokratike, (PD) më të madhes në opozitë në Shqipëri, Lulzim Basha reaguan në mbrëmjen e të martës,(21.09) për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, pas vendosjes nga qeveria e Kosovës të reciprocitetit për targa të përkohshme kosovare në automjetet që hyjnë nga Serbia në Kosovë.
Në një postim në twitter kryeministri Rama i jep të drejtë Kosovës për masën e marrë, por sugjeron që të shmanget bumerangu i ngrirjes së konfliktit.”Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, theksoi Rama në Twitter.
Edhe kreu i PD dhe i opozitës, Basha në reagimin e tij po në twitter e quan reciprocitetin “një të drejtë të patjetërsueshme të Kosovës.””Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më! Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit”, ka theksuar, kreu i opozitës, Lulzim Basha.