Kryetarja e Komisionit Evropian: Rritja e tensioneve Kosovë-Serbi është shqetësuese

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursulva Von der Leyen është deklaruar sot para mediave në vizitën e saj të zhvilluar në Shqipëri.

Gjatë kësaj konference, Von der Leyen ka folur edhe situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Evropian tha se situata është shumë shqetësuese dhe se të dyja vendet duhet të ulin tensionet e të rikthehen në dialog, transmeton lajmi.net.

“Keni punuar për çështjen e bashkëpunimit dhe keni pasur arritje. Rritja e tensioneve Kosovë-Serbi është shqetësuese dhe është thelbësore të ulet tensioni dhe të rikthehen në dialog. Edhe BE u ndërtua në bazën e dialogut dhe më pas në bazës e zhvillimit ekonomik. Ky është një proces i gjatë që sjell një të ardhme me paqe dhe begati”, deklaroi ajo.

Tutje Von der Leyen deklaroi se përgëzon Shqipërinë për përparimin që ka patur në Reformën për Drejtësi.

“Duhet t’i hedhim sytë drejtë së ardhmes, por nuk duhet të harrojmë se çfarë është bërë, për luftën kundër krimit të organizuar dhe e di që tani po punoni për luftën kundër pastrimit të parave”, shtoi ajo.
Ndryshe kanë kaluar nëntë ditë që nga momenti kur Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosje të reciprocitetit me Serbinë, për vendosjen e targave të përkohshme për automjetet që duan të hyjnë në Kosovë.

Serbët prej ditësh kanë vazhduar të protestojnë kundër këtij vendimi, duke vendosur barrikada të ndryshme në rrugët që qojnë drejt pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Pavarësisht kësaj lidhur me situatën pati reagime të shumta nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku u tha se dialogu është forma e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes dy vendeve.