​Biden bisedon me Von der Leyen, shpreh mbështetjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor

​Biden bisedon me Von der Leyen, shpreh mbështetjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden ka shprehur mbështetjen e fortë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Perspektiva evropiane e rajonit, u diskutua gjatë një telefonate që numri një i Uashingtonit zhvilloi me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.

Të dy udhëheqësit diskutuan edhe për bashkëpunimin ShBA-BE, pandeminë e COVID-19 si dhe krizën klimatike. Deklarata vjen një ditë para mbajtjes së samitit mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe udhëheqësve të rajonit, në Berdo të Sllovenisë.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së janë pajtuar me tekstin e draft-deklaratës që do të miratohet në këtë samit.

Në të thuhet se liderët e BE-së përshëndesin përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës evropiane, që sipas këtij dokumenti, “është në interes strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”, shkruan A2.

Ndërkohë që javën që lamë pas Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von der Leyen ka pasur një vizitë në Kosovë.

Në Kosovë Von der Leyen në konferencën e përbashkët që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti tha se është mbështetëse e flaktë e zgjerimit të BE-së edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Udhëheqësja e Komisionit Evropian pati deklaruar edhe se investimet evropiane shkojnë krah për krah me demokratizimin dhe respektimin të vlerave evropiane.