Problemet e rrjeteve sociale kanë hapur debat: Sa të sigurt jemi?

“Sa më shumë që përdorim teknologjitë e ndërlidhura, aq më shumë do të rriten rreziqet tona të sigurisë”.

Dalja jashtë funksionimit e Facebook, Instagram dhe WhatsApp për rreth 6 orë, pati një ndikim të konsiderueshëm në jetën e njerëzve në të gjithë botën. E vërteta është se në një mënyrë apo tjetrën, shoqëria jonë është bërë e varur nga shërbimet e ofruara nga Facebook dhe rrjetet sociale që gravitojnë në orbitën e tij.

Dhe jo vetëm për punë. “WhatsApp, Messenger dhe platforma të tjera janë shpesh mënyrat e vetme që kanë njerëzit për të qenë vazhdimisht në kontakt me familjen”- shkroi britanikja “The Independent”. Në një farë mënyre, jeta jonë e përditshme diktohet nga komunikimi i menjëhershëm i ofruar nga Facebook.

Por në të njëjtën kohë, interneti tek i cili mbështetemi aktualisht është jashtëzakonisht “i brishtë”, sikurse shprehet Adrien Lafrans, drejtuesja e ekzekutive e “The Atlantic”, e cila po merret prej vitesh me kompaninë e Mark Zukerberg, anët e errëta dhe problemet e saj.

“Webi nuk është vetëm i brishtë, por është shumë kalimtar. Ne kemi përshtypjen se këta gjigantë të rrjetit janë të destinuar të ekzistojnë përgjithmonë. Por në internet nuk zgjat asgjë dhe herët a vonë gjithçka prishet, shembet. Kjo është diçka që ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Edhe pse një ndërprerje kaq serioze nuk e kishim parë deri më tani”- shkruan ajo.

Pasojat e ndërprerjes të ditës së hënës, mund të kenë efekte të rëndësishme dytësore në nivelin kulturor dhe atë social.

“Një zhvendosje masive, edhe pse e përkohshme, e vëmendjessë miliarda njerëzve -shton Lafrans – i nxit ata të reflektojnë mbi marrëdhëniet me këto platforma. Pastaj janë edhe pasojat ekonomike:Ata që i përdorin këto platforma për punë,bëhen më pak produktivë për shkak të ndërprerjes për shumë aktivitete. Për shembull, në marketingun dixhital nuk është e mundur të ruhet një produktivitet i ngjashëm”.

Sigurisht, marrëdhënia jonë me mediat sociale nuk ka të bëjë vetëm me punën apo varësinë në një kuptim negativ. Postimi i fotove, artikujve, mendimeve, na ndihmon që të ndërveprojmë me të tjerët, të krijojmë lidhje, të thellojmë narrativat dhe marrëdhëniet tona.

Marrëdhënia e të gjithëve me mediat sociale është diku në mes, midis varësisë dhe dobisë sociale. “Nga kjo ngjarje mund të nxjerrim të paktën një leksion:moderimi është mënyra e vetme për të kapërcyer këtë obsesion global. Të bësh pa mediat sociale nuk do të ishte më e mundur, por as ta zhytësh plotësisht veten në to nuk është qasja më e mirë”– thekson  “The Independent”.

Brishtësia e rrjetit, dhe e jona bashkë më të, na çojnë në kapitullin më delikat të këtij debati:sigurinë. Madhësia dhe kontrolli që ka Facebook mbi një rrjet të tërë platformash të përdorura nga miliarda përdorues në të gjithë botën, mund të përbëjë një rrezik me vete.

Ngjarja e së hënës duhet së paku të na kujtojë se perandoria e ndërtuar dhe zgjeruar nga Zukerberg mund të jetë një burim problemesh për shoqërinë tonë, për demokracinë, për njerëzimin.
Jo vetëm kur bie. Por edhe kur është online. Ne ende nuk e dimë nëse ajo që ndodhi ishte një sulm hakerash – gjurmimi duket ende i pamundur – por është shqetësues fakti se ndërprerja e përkohshme e një kompanie të vetme, ishte në gjendje të ndikonte aq shumë tek rrjeti në përgjithësi.

MSNBC lëshoi një sinjal alarmi përmes një artikull të kolumnistes Tifani C.Li:

“Sa më shumë që përdorim teknologjitë e ndërlidhura, aq më shumë do të rriten rreziqet tona të sigurisë”.

Li thekson se interneti është një ekosistem i bazuar në një rrjet mbarëbotëror të kabllove nënujorë dhe serverave të shpërndarë andej-këtej, ndaj është shumë e lehtë të harrosh faktin se interneti nuk është vetëm një gjë abstrakte:infrastruktura e tij fizike ekziston dhe ajo ështëshumë e rëndësishme.

Në pjesën më të madhe të kohës, ne jemi të fokusuar tek rreziqet që rrjedhin nga Big Tech, të kuptuara si probleme të një natyre kulturore, apo si probleme të mbrojtjes së informacionit dhe të dhënave personale -natyrisht probleme që kanë ekzistuar dhe që do të vazhdojnë të ekzistojnë.

Ndërkohë, infrastruktura e internetit duket shumë më pak interesante dhe e rëndësishme.

Por kjo është ndoshta arsyeja pse ne duhet të investojmë më shumë për ta mbrojtur atë.

“Siguria e informacionit, është pjesë integrale e sigurisë kombëtare të çdo vendi, dhe infrastruktura e internetit është një infrastrukturë kritike. Ndaj është e rëndësishme të investohet në zgjerimin e qasjes me një brez të gjerë dhe fibra optike. Pandemia na ka treguar se sa thelbësore është qasja në internet, dhe është e turpshme që kaq shumë njerëz nuk kanë qasje ende në internet. Qasja në internet, është një e drejtë e njeriut, dhe investimi tek infrastruktura e internetit, mund të na ndihmojë ta mbrojmë këtë të drejtë për të gjithë”- shkruan MSNBC.

Gjithashtu, do të ishte me rëndësi për të gjitha vendet që të investojnë më shumë mbi sigurinë kibernetike dhe teknologjinë, të trajnojnë më shumë profesionistë të sigurisë kibernetike në institucione, dhe të kenë më shumë studentë dhe studiues që punojnë në këtë çështje.

Dhe atëherë do të kishte padyshim nevojë për politika që mbështesin industrinë e teknologjisë, dhe duhet të krijohen mënyra alternative për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve të caktuara:një pikë në favor të atyre që mbështesin masat rregullatore për të mbështetur konkurrencën më të madhe në hapësirën e rrjetit.

“Ka ardhur koha të mendojmë për një internet publik, si një alternativë ndaj sektorit tonë aktual të internetit të dominuar nga kompanitë. Një internet më i mirë është i mundur. Asnjëherë nuk është vonë për të filluar.