Boiken Abazi e lë Kurtin: Jep dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje

Boiken Abazi e lë Kurtin: Jep dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, ka dhënë dorëheqjen nga ky post, dhe këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

Abazi, tha se kishin kaluar të dielën në selinë e Vetëvendosjes duke ndjekur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, derisa shtoi se VV ka arritur sukses anipse rezultatet e thonë krejt të kundërtën.

Ai tregoi se këtë dorëheqje ia kishte paraqitur nga 15 shtatori, por s’kishte dashur ta bënte publike për shkak të situatës në veri të Kosovës.

‘’ Në datën 15 shtator unë kam paraqitur dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i drejtorit ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri, gjë që e kisha diskutuar edhe pas zgjedhjeve në Bordin e Qendrës, për të mbajtur përgjegjësitë e mia për rezultatet në Shqipëri. Kam pritur ta bëj këtë gjë publike, për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Për hapat e radhës në Shqipëri jemi duke i vazhduar diskutimet’’, shkroi Abazi.

Kujtojmë se Abazi pati marrë pjesë në zgjedhjet në Shqipëri ku korri rezultate tejet të dobëta. Lëvizja Vetëvendosje bashkë me Boikenin patën kandiduar në tre qarqe por nuk kanë fituar në asnjërën, duke shënuar një bilanc të vogël votash pavarësisht se Kurti me muaj të tërë ia organizoi fushatën dhe shkoi në Shqipëri për të votuar.

E për këtë Kurti pati kritika të mëdha, pasi atë kohë Kosova gjendej përballë një krize të thellë me pandeminë, e që po neglizhohej krejtësisht nga ekzekutivi.