Emmerson: Krerët e UÇK-së janë burgosur pa asnjë bazë, dhe askush nuk shpreh keqardhje

Kanë vazhduar përplasjet e ashpra në Gjykatën Speciale mes avokatëve të krerëve të UÇK-së dhe Prokurorisë së Specializuar.

Avokati Emmerson  tha se Prokuroria nuk po i përmbahet afateve ligjore, të cilat sipas tij janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen.

“Si rregull i përgjithshëm. Nuk është asnjëherë e zgjuar për gjykatën të mbështetet në Prokurorinë se si mund ta ndihmojnë mbrojtjen. Në pjesën më të madhe të juridiksioneve, prokurorisë i kërkohet që të nxjerrë materialet që mbrojtja të përcaktohet se cilat materiale janë më të rëndësishme që të përdoren prej saj. Dua të them që zoti Roberts ka të drejtë që mënyra e vetme për ta zgjidhur këtë është që ta bëjmë një kërkesë për ta bërë këtë prokuroria. Që prej kohës kur kemi marrë listën, kemi bërë kërkesa për 7 mijë e775 dokumente. Këtë kërkesë e kemi bërë më 21 gusht. Kemi bërë kërkesa edhe në tetor. Këto mbështeten në kritere shumë më të vogla. Në vetvete ky është një proces shumë sipërfaqësor. Numri i përgjithshëm i kërkesave nga mijëra dokumente ne kemi marrë vetëm 19. ZPS na dha një njoftim të ndryshuar. Pyetja është pse ekziston afati kohor dhe kufizimet. Afati kohor është i rëndësishëm për ne si mbrojtje”, tha Emmerson.

Ai tutje tha se nuk ka asnjë provë për krimet apo informacione për kryerjen e tyre nga ish-krerët e UÇK-së.

“Pra bëhet fjalë për 300 dëshmitarë të prokurorisë. Dhe duke marrë parasysh që sa kohë i është dashur prokurorisë, për mbrojtjen duhet të paktën një vit. Ideja është se në qoftë se do të kishim të përcaktuar çështjen nuk duhet të shqetësoheshim për 185 dëshmitarë, mirëpo vetëm në disa prej tyre. Në rastin aktual nuk kemi asnjë provë për krimet apo informacion të tillë dhe puna jonë po bëhet e vështirë. Një gjë e rëndësishme mund të dalë në çdo kohë të caktuar, nga dëshmitari shembull që thotë se kam qenë në këtë situatë. 5 nëntori apo 5 dhjetori i 2022 është qesharak”, tha Emmerson.

Tutje, avokati i Veselit tha se e vetmja zgjidhje në këtë situatë është që gjykatësi të jap urdhër e të thotë se “ka ardhur fundi” për përmbajtjen ndaj afateve ligjore.

“E vetmja mënyrë është që ju gjykatës të thoni që ka ardhur “piku” dhe nuk mund të shtyhet kjo gjë më. Edhe gjatë gjykimit na duhet baza e të dhënave. Ne kemi absolutisht të drejtë që të kemi qasje në të gjitha dokumentet.  Mos të bëjmë lojëra fjalësh. Duhet që të sigurojmë procesin e rregullt ligjor. Nëse ata thonë se nuk mund ta bëjmë këtë, kjo tregon se ata nuk respektojnë detyrën që kanë. Nëse ata e kanë dhe nuk na japin këtë informacion, ju duhet të nxjerrni vendimin dhe ata të na japin ato informacione. E gjithë kjo punë do të duhej të bëhej para arrestimit. Ju kërkoj falje në qoftë se nuk e pëlqeni tonin tim, por më duhet të them se ne po kritikohemi nga prokuroria sepse përdori hiperbola. Hiperbola do të thotë ekzagjerim, që ta zmadhosh situatën. Por ajo çfarë po thonë ata nuk është hiperbolë. Jam i sigurt që ju thoni apo nuk thoni në publik, ju jeni të shokuar se si po sillet prokuroria. Ne jemi të zhgënjyer që ju nuk keni tërhequr vëmendjen e tyre. Unë personalisht jam përjashtim nga ana tjetër dhe më duhet të them që unë në vetvete mendoj që çdo fjalë nga goja ime është justifikuar nga fakti që këta burra janë në burg dhe nuk dëgjojmë as keqardhjen më të vogël që këta burra janë burgosur pa asnjë bazë të përcaktuar”, tha Emmerson.

Madje ai kritikoi edhe Prokurorinë e Gjykatën për mbajtjen në paraburgim që prej më shumë se një vit të krerëve të UÇK-së, dhe për këtë nuk tregohet asnjë shenjë keqardhjeje.

“Nuk ka asnjë shenjë respektimi dhe keqardhjeje për këta burra. Ajo është këtu për të mbrojtur atë që nuk është e mbrojtshme. Sa i takon dokumenteve, zgjedhja e vetme që mund të pranohet është që të gjitha ato dokumente të më jepen brenda afatit kohor”, tha Emmerson.