znj.Sinani shpreh ngushllime familjes së Mulla Qemal ef.Hebibi

znj.Sinani shpreh ngushllime familjes së Mulla Qemal ef.Hebibi

Postimi i plotë i kryetarës së komunës së Preshevës znj.Ardita Sinani:

Jam lindur me zërin e ezanit të tij. Jemi rritur me predikimet e tij. 

Brez i vjetër i nxënësve (talebe) të hafëz Nexhatiut dhe Mulla Nazmisë nga Rahovica, Mulla Qemal ef.Hebibi ishte bashkëkohor në çdo kohë. Modernizues në ruajtje të tradicionales. Autoritet pa qenë autoritar. Komunikativ pa qenë monopolizues. Artikulues me gjuhën e popullit. Pedant me modesti. 

Ish-imam i Xhamisë së Re në qytetin e Preshevës, Mulla Qemal ef.Hebibi ia kushtoi një jetë të tërë xhematit, por edhe shoqërisë. Përgjatë 55 vjetve të shërbimit të tij me dinjitet dhe integritet, hoxha i nderuar ishte përparimtar dhe gjithëpërfshirës. Donte të tijën pa e urryer të tjetrit. Kishte pasion dijen, arsimin, kulturën, barazinë gjinore, emancipimin shoqëror. I shërbente njeriut për të mirën e tij jashtë dogmave, paragjykimeve, stereotipeve dhe fanatizmave. 

Mulla Qemal ef.Hebibi është padyshim një nga emrat kryesor që ka bërë historinë moderne të jetës dhe të organizimit fetar në komunën tonë. 

Në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të Komunës së Preshevës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve, xhematit të xhamisë dhe gjithë komunitetit mysliman në Luginën e Preshevës.

Faleminderit Hoxhë.

Allahu i Madhërishëm të mëshiroftë dhe të shpërbleftë me Xhennet.