Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, ka vazhduar që t’i bëjë thirrje Qeverisë që ta rishikojë vendimin për anulimin e projektit të gazsjellësit.
Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shtoi se Qeveri duhet të tregohet më e ndërgjegjshme që ta pranojë projektin e gazit, duke e cilësuar si një nga projektet e rëndësishme për vendin.
“Mendoj që para se Qeveria jonë me shkuar atje dhe me diskutuar është mirë me trajtuar procesin e gazit dhe mos me refuzuar një gjë të tillë, prapë i bëjmë thirrje kësaj Qeverie qe të jetë pak më e ndërgjegjshme.Prezenca e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prezenca e NATO-s është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë. Dhe çfarëdo angazhimi shtesë i SHBA-së mendoj që është shumë i rëndësishëm për vendin. Mirëpo ju e dini që prezenca ushtarake e SHBA-së në Kosovë nuk mungon. Ne e kemi tashmë një bazë mjaft të rëndësishme si Bondsteeli. Dhe mendoj që Qeveria e Republikës së Kosovës para se të shkojë të flasë për punën e prezencës ushtarake e cila është mjaft e rëndësishme për vendin, mirë është ta trajtojë çështjen e gazit. Të mos e refuzojë një projekt të tillë”, tha Tahiri.
“Prezenca e një projekti amerikan jo që është i rëndësishëm për ekonominë tonë, por edhe për sigurinë tonë”, theksoi shefi i GP të PDK-së.
Tahiri foli edhe për fushatë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku tha se do të respektohen të gjitha masat anti-Covid në bazë të rekomandimeve.
“Ne do respektojmë masat në plotni, aq sa na lejojnë masat dhe ashtu siç duhet. Aq sa është orari dhe ashtu si duhet respektuar masat”.
Ai foli edhe për dakordimin që patën në Kryesi që mbledhja të mbahet javën e ardhshme.
“Nga java e ardhshme kemi një seancë që ka të bëjë me MSA-në ku do jenë të angazhuar 26 deputetë në këtë proces, dhe kjo ndodhi me dakordim të plotë për mbledhjen e radhës”, theksoi tutje Tahiri.