Vucic: Leni përrallat se pa thëngjill s’ka rrymë, shikoni Shqipërinë që paguan 17 milionë më shumë në javë për import tani

Vucic: Leni përrallat se pa thëngjill s’ka rrymë, shikoni Shqipërinë që paguan 17 milionë më shumë në javë për import tani

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, i ka të qarta prioritetet për energjinë dhe i tha shpalosi ato qartë në samitin për klimën në Glasgow. Agjenda e blertë po se po, tha ai, ama më ngadalë e me racionalizëm, duke shtuar një thumb për kundërshtarët e tij në Serbi: “të gjithë tregojnë përralla të bukura për ata njerëzq që duan t’i dëgjojnë, ku askush nuk i do minierat e litiumit por veturat i duan elektrike ama”. Presidenti serb Vucic me rreptësi ka kaluar në ofensivë para zgjedhjeve në Serbi duke i mëshuar fort zhvillimit ekonomik duke u krenuar se Serbia është stabile në krahasim me rajonin jo stabil ballkanas sipas tij.

“Për të rritur për disa qindra megavate prodhimin e energjisë elektrike duhet të investoni dy milionë euro, ka shumĽ pyetje kontradiktore, por na duhet të luftojmë dhe na duhet të zhvillojmë kapacitete të energjisë së ripërtërishme” porositi ai.

Energjetika është një prej çështjeve më të rënda, tha presidenti serb dhe i lëshoi ca thumba për opozitën serbe që e lufton projektin e minierës së litiumit që pritet të ndërtohet nga kompania Rio Tinto në emër të mbrojtjes së mjedisit.

“Të gjithë tregojnë përralla të bukura që njerëzit duan t’i dëgjojnë, ku askush nuk i do minierat e litiumit por veturat i duan elektrike ama” tha Vucic duke theksuar standardin e dyfishtë.

“Do të punojmë në agjendën e blertë, këtë duhet ta bëjmë, të përpiqemi për një Serbi më të pastër – ujë më të pastër, dhe më të pastër, ajrin – por kjo nuk do të thotë që të ndalim rrymën. Duhet ngadalë të zëvendësojmë thëngjillin. Ndikimi ynë në ndryshimet klimatike është aq i paktë, i parëndësishëm, bëhet fjalë për shtete të mëdha, ne kemi mbi 65 % varësi nga thëngjilli, e sikur mos ta kishim nuk do të kishim rrymë, do të largohemi nga thëngjilli, por ngadalë” tha ai.

Vucic nuk i kurseu anekdotat që mediat e afërta t’i shpërndajnë pas adresimeve të stërzgjatura dhe e përmendi situatën në Shqipëri si pasojë e krizës botërore me energji elektrike.

“Nëse merrni shembull Shqipërinë, ata shpenzojnë rreth 17 milionë euro në javë se zakonisht në energji – kjo është ferri vet, ata s’kanë thëngjill, vetëm ujë i cili nuk iu mjafton, prandaj e importojnë rrymën me çmime të tregut” tha Vucic.

Vucic ka nisur të përmend edhe një burim tjetër të energjisë në botë të cilit i shmangen për shkak të shumë arsyeve por pashmangshëm do t’i kthehen për shkak të krizës në botë, asaj bërthamore. Vucic e ka kthyer në temë ka një vit këtë dhe tani po e shtyn para për shkak të zgjedhjeve siç e akuzon opozita serbe.

Vucic ka deklaruar se ka biseduar me zyrtarët të ndryshëm në rajon për mundësinë e blerjes së aksioneve në impiantin e tyre të energjisë bërthamore. Duke i ngacmuar europianët posaçërisht për dallimet mes tyre rreth çështjes së energjisë bërthamore. “Francezët janë pro, gjermanët kundër” si t’ia bëjmë tash e gjeti të ngacmojë Vucic.

Në samitin për klimën në Glasgow të gjithë kishin shënjestër qymyrin dhe ndalimin e tij si ndotës kryesor. Vendosën të mos financojnë më termocentrale me qymyr më perëndimorët. Por duke mos i mbyllur ato impiantet e tyre që tanimë po punojnë me qymyr ‘overtime’.

Por pak njerëzve ju ka shpëtuar fakti se ndotësi më i madh me mbi 30 % të emetimeve të dioksidit të karbonit, Kina, nuk e mori as mundin të dukej. Një letër e dërguan sa për sy e faqe. Putin as që bëhet fjalë të merrte pjesë e sa nuk e ka telash të tall perëndimorët siç thotë ‘për degjenerimin e vlerave të tyre’, vazhdimësi kjo e propagandës që nga Bashkimi Sovjetik ku ka shërbyer ai si aparatçik në KGB famëkeqe. Përse duhet që Putin të brengoset, e ka në grusht Europën me gazin rus që e po e shfrytëzon si armë për shantazh politik. Kjo akuzë ju bë disa herë nga europianët e amerikanët. As presidenti turk nuk denjoi të vinte fare, për shkaqe sigurie thanë.

As nuk ju ka shpëtuar fakti se vet Gjermania shfrytëzon qymyrin për energji pasi kishte vendosur të hiqte dorë nga energjia bërthamore, e që Franca ka refuzuar e tani eksporton energji. Një zënkë me Poloninë rreth minierës së madhe të mihjes së qymyrit në Turow që po refuzon ta mbyll ky shtet nuk do të ndihmoj aspak të shmangë akuzat për standarde të dyfishta.

Tashmë veç po flitet në qarqe të shumta se kujt i hynë në punë dhe kush do të përfitonte nga zotime të tilla, kur më të mëdhenjtë në biznes si Kina e Rusia nuk do t’i përmbahen këtyre zotimeve. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në zënkë me Australinë për nëndetëset e refuzuara nga ta, i kishte vendosur si kusht Kryeministrit të Australisë, Scott Morrison, që shteti i tij për të përmirësuar marrëdhëniet duhet të heqë dorë nga thëngjilli. Të nesërmen

Kosova renditet si vendi i pestë në botë me rezerva të thëngjillit që shfrytëzohet në shumicë dërrmuese të prodhimit me energji. Teknologjia e vjetruar përtej mundësive të rinovimit ka nxjerrë në pah çdo sezone dimri riskun e mungesës së energjisë dhe avarive. Disa herë përpjekjet për të ndërtuar një impiant të ri janë penguar dhe dështuan. E fundit ishte nisma për ndërtim me kompaninë amerikane ContourGlobal që u tërhoq pas tendencës publike të qeverisë në pushtet për refuzim. “Qymyri është një e keqe që duhet larguar” kishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, asokohe. Derisa zyrtarisht kishte shfaqur mëdyshjet për projektin me arsyetimin e rritjes së çmimit të energjisë.

Një tjetër kontroversë ishte refuzimi gaz përçuesit amerikan që do të financohej nga fondet tanimë të miratuara nga shteti amerikan. Kjo e fundit publikisht është thënë se nuk është refuzuar por shtyrë për shkak të nevojës së kohës për shqyrtimit të mëtejmë.

Nuk i ka shpëtuar as Vucic kjo që një javë më pas thumbonte nga larg se Serbia ka gaz mjaftueshëm, duke shtuar më pas para samitit për Ballkanin Perëndimor se do të bisedoj me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis nga i cili pret garanci atij se nuk do ta njohë Kosovën. Greqia ishte përfolur gjerë e gjatë se do të njohë Kosovën dhe opinioni serb ishte shqetësuar për ndryshim të këtillë të qëndrimit nga ‘një aleat’ ballkanik. Pak kohë pas shtyrjes së gazpërçuesit për shqyrtim, u përfol se kryeministri grek Mitsotakis ka anuluar takimin me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në New York. Në Serbi nuk janë ndalur ama, kryediplomati i të cilëve nga Athina porositi sot se Greqia mbështetë Serbinë në rrugën europiane dhe dialogu në Bruksel është e vetmja platformë e zgjidhjes së problemeve me ‘Prishtinën’. Ministri i jashtëm grek Nikos Dendias e ka theksuar siç raportohet nga mediat serbe se Serbia e ka vendin në Europë. Asnjë llaf nga Dendias për Kosovën që e kishte vizituar disa herë brenda një periudhe jo aq të gjatë.