Kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, ka thënë se ka shpëtuar i padëmtuar pas një sulmi në shtëpinë e tij në kryeqytetin Bagdad.
Zyrtarët thanë se rezidenca e tij në Zonën e Gjelbër të kryeqytetit ishte shënjestruar nga një dron i ngarkuar me eksploziv, në një tentativë të supozuar për vrasje.
Raportet e mëparshme të mediave thanë se al-Kadhimi ishte dërguar në spital.
Në një postim në Tëitter, ai bëri thirrje për qetësi dhe përmbajtje nga të gjithë, për hir të Irakut.
Zyrtarët thanë se të paktën gjashtë persona të sigurisë së kryeministrit u plagosën, shkruan BBC.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, në një zonë të qytetit ku ka shumë ndërtesa qeveritare dhe ambasada të huaja.
SHBA e ka dënuar incidentin dhe ka ofruar ndihmën e saj me hetimin.
“Ky akt i dukshëm terrorizmi, të cilin ne e dënojmë me forcë, ishte drejtuar në zemër të shtetit irakian”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Ned Price.
Al-Kadhimi, një ish shef i inteligjencës, u betua në detyrë në maj të vitit të kaluar.