Stoltenberg: Jemi të shqetësuar për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Stoltenberg: Jemi të shqetësuar për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në takimin me ministrat e Jashtëm të Finlandës, Suedisë dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, ka adresuar çështjen e Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se së fundi janë dëshmitarë të zhvillimeve shqetësuese në Bosnje e Hercegovinë dhe tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ballkani Perëndimor është në zemër të Europës dhe është një rajon i rëndësishëm për NATO-n dhe për Bashkimin Europian. Jemi dëshmitarë të zhvillimeve shqetësuese. Ne jemi të shqetësuar nga retorika përçarëse në Bosnjë dhe Hercegovinë. Tensionet vazhdojnë mes Beogradit dhe Prishtinës. Reformat po ngecin dhe akterët e huaj kanë rritur ndikimin e tyre keqdashës”.

Stoltenberg ka thënë gjithashtu se s’duhet harruar rruga e gjatë që është bërë nga vitet 1990.

“Ne i kemi dhënë fund luftërave brutale dhe vendet në rajon janë anëtarësuar si në Bashkimin Europian ashtu edhe në NATO. NATO dhe Bashkimi Europian po punojnë ngushtë së bashku, për të mirën e rajonit dhe vetëm në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë, ku NATO dhe BE punojnë dorë për dore”.