Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla po realizon vizitën e saj të parë zyrtare në Luginë të Preshevës.
Agjenda e saj filloi në komunën e Bujanocit për të vazhduar pastaj në komunën e Preshevës ku u pritën nga kryetarja znj.Ardita Sinani si dhe zv.kryetari z.Ragmi Mustafa.
znj.Sinani e njoftoi nga afër ministren Gërvalla rreth situatës politike, sociale dhe asaj të zhvillimit ekonomik, si dhe diskriminimit të vazhdueshëm të shqiptarëve nga organet e Qeverisë qendrore në Beograd në fushat e arsimit, ekonomisë, shëndetësisë. Me theks të veçantë ishte çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë, si dhe mos njohja e diplomave të fituara nga Univerzitetet e Republikës së Kosovës, gjithashtu znj.Sinani ministres i'u drejtuara edhe me disa kërkesa konkrete për Luginën e Preshevës.
1/ Përkushtim dhe dinamizim i diplomacisë së Republikës së Kosovës për sensibilizimin e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me pasivizimin e vendbanimeve dhe adresave të shqiptarëve në Serbi.
2/ Përfshirje të kuadrove nga Lugina e Preshevës në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
3/ Hartim i një Plani dhe Programi nga Qeveria e Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës.
4/ Funksionalizim i Zyrës për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
5/ Sensibilizim i bashkësisë ndërkombëtare nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës për moszbatimin nga Qeveria e Republikës së Serbisë të tri marrëveshjeve për Luginën e Preshevës.
6/ Hartim i një Plani dhe një Strategjie operacionale nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës për sensibilizimin e bashkësisë ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
7/ Angazhim për përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi.
znj.Gërvalla u deklarua se kjo vizitë e parë në Luginën e Preshevës është një gjest i fillimit të një bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës me Luginën e Preshevës për t'i ndihmuar proceset dhe nevojat në Luginë të Preshevës për një jetë më të mirë në këtë vend.
Kjo ishte vizita e parë e zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla pas refuzimit të djeshëm të shtetit Serb për ta vizituar Luginën e Preshevës.