Qeveria e re gjermane ka njoftuar planet e saj për të dhuruar të paktën 75 milionë doza vaksinash për vendet e varfra vitin e ardhshëm.
Ministrja e Zhvillimit Svenja Schulze tha për Redaktionsnetzwerk Deutschland se objektivi për të dhuruar 100 milionë dozave në vitin 2021 ishte arritur.
“Por ne nuk duhet të ndalemi me kaq. Vitin e ardhshëm, ne kemi planifikuar të dhurojmë të paktën 75 milionë doza të tjera”, shtoi ajo.
“Ne do t’i menaxhojmë të dyja: Të sigurojmë vaksina për popullsinë tonë dhe për vendet më të varfra”, tha Schulze.
“Efektet e pandemisë në këto vende ishin vërtet brutale. Dhuna ndaj grave po shtohet, të drejtat e njeriut po shkelen gjithnjë edhe më shumë. Ajo që po shohim tani është dramatike”, shtoi ajo
Megjithatë, Schulze i hodhi poshtë thirrjet për heqjen e patentave për prodhuesit e vaksinave.
“Procesi i prodhimit të vaksinave moderne është teknikisht po aq kërkues sa edhe kompleks sa që pezullimi nuk do të ndihmonte aspak”, tha ajo.
“Ajo që nevojitet, është prodhimi mbarëbotëror i vaksinave kundër Covid-19 në bashkëpunim me prodhuesit”, tha Schulze duke shtuar se, Gjermania po ndihmonte me trajnimin e specialistëve në fabrikën e prodhimit të vaksinës BioNTech në Ruandë.