Jeff Hovenier ka nisur zyrtarisht detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i cili është emëruar në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021.
Osmani ka thënë se marrëdhënia e ngushtë me ShBA-të mbetet e pa ndryshuar.
“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori sepse ka ecur përpara, por një gjë është e njëjtë, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të bekuar të kemi ShBA-të pranë nesh me çdo hap të rrugëtimit tonë. Në këtë kapitull të ri të bashkëpunimit shpresoj të forcojmë edhe me tej marrëdhëniet tona. Besoj fuqishëm se pavarësisht sa i madh apo i vogël mund të jetë një shtet ne te gjithë mund të japim kontribut për paqen në rajon dhe botë”, ka thënë Osmani.
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier tha se ka nderin që të shërbejë si përfaqësues i presidentit Joe Biden në Kosovë.
“Është nder i jetës sime që të shërbej si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Gruaja ime Laura dhe unë jemi duke e njohur këtë vend dhe njerëzit edhe më shumë”, tha ambasadori Hovenier në fjalën e tij hyrëse në Presidencë, ku u prit nga presidentja Vjosa Osmani.
Ambasadori Hovenier tha se është i lumtur për rolin e SHBA-së në krijimin e shtetit të Kosovës, të cilin e quan të suksesshëm.
“Njerëzit e Kosovës kanë bërë aq çfarë kanë patur nevojë ta bëjnë në nivelin global dhe të krijojnë një shtet të suksesshëm multietnik. Jam shumë i gëzuar për rolin që e ka SHBA-ja në këtë dhe mbështetjen që ia kemi dhënë Kosovës”, tha ambasadori amerikan.