Referendumi i Serbisë në Kosovë, ky është qëndrimi i partive opozitare

Referendumi i Serbisë në Kosovë, ky është qëndrimi i partive opozitare

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kundërshtuar njëzëri mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqi, e ka quajtur antikushtetuese mbajtjen e një referendum të tillë.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshem lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e nje shteti fqinj”, tha Krasniqi për Gazetën Express.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumnir Abdixhiku, ka thënë se kjo është e papranueshme teksa ka kërkuar respektimin e normave kushtetuese në fuqi.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfardo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni.”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se kjo është një përpjekje për sulm mbi integritetin kushtetues të shtetit.

“AAK: Përpjekja e Serbisë për referendum  kushtetues në Kosovë sulm mbi integriterin kushtetues të Shtetit. Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të  Kosovës. Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në territorin e saj nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendumi i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit nacional të Serbisë mbi Kosovën”, thuhet në komunikatën e AAK’së.

Kujtojmë se sot QUINT’i ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë brenda Kosovës.