Ministrja Rizvanolli kërkon që rritja e çmimit të rrymës të fillojë nga 800 kWh

Ministrja Rizvanolli kërkon që rritja e çmimit të rrymës të fillojë nga 800 kWh

Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po kërkon zgjerimin e brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh, në 800 kWh. Një gjë e tillë është bërë e ditur në raportin me komente që ME ka dërguar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Propozim tjetër i Ministrisë së Ekonomisë është shtimi i blloqeve tarifore dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1000 kWh.

“Alternativat e propozuara nga ME janë:  1. Zgjerimi i brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh në 800 kWh, duke pasur në konsideratë efektivitetin e këtij mekanizimi në kushtet e mungesës së alternativave tjera të sigurimit të energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes nga një pjesë e konsumatorëve; ose 2. Shtimin e numrit të blloqeve tarifore, që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo prej 14 cent/kWh  për konsumin deri në 1000 kWh”, thuhet në raportin me komente ndaj ZRRE-së.

Nga ministria e udhëhequr nga Artane Rizvanolli kanë vlerësuar se e shohin  të arsyeshme rivendosjen e bllokut të tarifave në kushtet dhe  rrethanat në të cilat po vepron sistemi elektroenergjetik.

Për dërgimin e komenteve njoftimin e ka bërë vetë ministrja Rizvanolli me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka thënë se ekziston një dallim i madh çmimor i blloqeve të propozuara nga ZRRE-ja.