Ish-udhëheqësit të Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Besnik Berisha, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi është shpallur fajtor për zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Mirëpo, ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës dy vjeçare nuk kryen vepër tjetër penale.
Aktgjykimin, të premten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës e ka shpallur kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi.
Ndërsa, Berisha, është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi sipas gjykatësit, nuk është vërtetuar kryerja e kësaj vepre penale.
Sipas aktakuzës, Besnik Berisha, si udhëheqës i Divizionit të Prodhimit në MPB, me 4 shkurt 2015, në një intervistë për KTV-në, kishte zbuluar të dhëna sekrete që kanë të bëjnë me prodhimin e pasaportave. Ai kishte zbuluar publikisht të dhëna në lidhje me sigurinë e pasaportave si: vendosjen e çipit, mënyrën e lansimit, qepjen dhe të dhëna të tjera, të klasifikuara si sekret zyrtar.