‘Jemi afër arritjes së një marrëveshjeje’: Lajcak tregon për negociatat 11 orëshe në Bruksel

‘Jemi afër arritjes së një marrëveshjeje’: Lajcak tregon për negociatat 11 orëshe në Bruksel

I ngarkuari europian për dialogun, Miroslav Lajcak, ka thënë se negociatat kanë zgjatur 11 orë gjatë takimit që ka zhvilluar dje me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkovic.

Ai ka thënë se pas 11 orëve bisedime të vështira dje në Bruksel, janë afër që të arrijnë marrëveshje për disa çështje.

“Pas 11 orëve bisedime të vështira dje, jemi afër të arrijmë marrëveshje për disa dokumente. Por, siç ndodh shpeshherë, hapi i fundit është më i vështiri. Puna vazhdon”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndryshe, në mbrëmjen e së martës (22.02), kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan takime dypalëshe me zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe nuk u dha ndonjë shpjegim se pse nuk u zhvillua takimi trepalësh.

Ajo që u bë e ditur në takimet e ndara që Miroslav Lajçaku zhvilloi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkovic ishin temat e diskutuara. Çështja e të pagjeturve, ajo e targave për vetura dhe çështja e energjisë.

Nga burime diplomatike të DW nga Brukseli flitet se është diskutuar edhe një traktat i paqes mes palës kosovare dhe asaj serbe.