Në ditën e mësuesit znj.Sinani viziton mësuesin e saj të parë

Në ditën e mësuesit znj.Sinani viziton mësuesin e saj të parë

Postimi i plotë i kryetarës së komunës së Preshevës znj.Ardita Sinani:

Më ka mësuar dhe edukuar në kushte shumë të vështira. 

Ishin kohëra të rënda. Kur shkolla, arsimi dhe edukimi sulmoheshin nga shteti. Kur mësuesi dhe mësuesja ishin edhe adresa të dijes, edhe modele të rezistencës, edhe autoritete të shpresës.

I tillë ishte për mua z.Selajdin Mehmeti. Mësuesi im i parë.

E vizitova sot. Ndjeva emocione të përziera. Kujtova shkollimin tim. Punën e tij dhe të brezit të tij. Edhe sot, si i pensionuar, ai flet me pasion për arsimin, edukimin, shkollën, universitetin, librin, emancipimin. Përjetësisht mirënjohëse M'susi. 

Përulje këtij brezi të mësuesve, arsimtarëve, profesorëve dhe punëtorëve arsimor, të cilët punuan me zell dhe ideal, madje pothuajse edhe pa paga, shpeshherë duke ecur me kilometra në shi dhe borë, vetëm për ta arsimuar dhe edukuar nxënësin tonë. Shpesh i harrojmë. Jo rrallëherë i relativizojmë. 

Respekt për brezin e sotëm. Që punon përditshëm për edukimin e brezave me probleme jo të pakëta.

Por, sot, vetëm mirënjohja dhe urata nuk mjaftojnë. Dita e 7 Marsit duhet të shërbejë edhe për vetëreflektim. Për vetëkritikë. Për ta përmirësuar cilësinë e arsimit dhe edukimit tonë. Aty ku është në duart tona. Duhet pranuar se kemi mundur më mirë. Se duhemi më mirë. Si politikë, si qeverisje lokale, si menaxhim shkollash, si punëtorë arsimor.

Të kthehemi jo vetëm më shumë nga shkenca dhe kultura, por edhe të punojmë më shumë në krijimin e qytetarit të dijshëm, të socializuar dhe të ndershëm.  

GËZUAR 7 Marsi!