znj.Sinani: Qeveria e Serbisë zotohet për fillimin e punësimit dhe përfshirjes proporcionale të shqiptarëve në institucionet shtetërore

znj.Sinani: Qeveria e Serbisë zotohet për fillimin e punësimit dhe përfshirjes proporcionale të shqiptarëve në institucionet shtetërore

Postimi i plotë i kryetares së komunës së Preshevës znj.Sinani: 

Qeveria e Serbisë zotohet për fillimin e punësimit dhe përfshirjes proporcionale të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Në afat prej dhjetë ditësh themelohet Grupi i Përkohshëm i Punës për monitorimin dhe zbatimin e këtij procesi, në përbërje të përfaqësuesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE); Ministrive të Qeverisë së Republikës së Serbisë; Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Pas tre muajve do të takohemi sërish për ta vlerësuar ecurinë dhe efikasitetin e zbatimit të këtij procesi.  

Ky është rezultati i sotëm i rrethit të dytë të dialogut dypalësh midis Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesve politik e institucional shqiptarë të Luginës së Preshevës, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes 7 pikëshe për Luginën, të bllokuar nga Beogradi prej miratimit të saj më 4 korrik 2013.

Dialogu i tanishëm për zbatimin e Marrëveshjes 7 pikëshe po lehtësohet dhe po përkrahet nga Shefi i Misionit të OSBE në Beograd, SH.T. Ambasadori Jan Braathu. E falenderoj përzemërisht për kontributin dhe përkushtimin.

Sot ishte tema e integrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore. Për këtë, së bashku me kryetarin e Këshillit Kombër Shqiptar, z.Ragmi Mustafi; kryetarin e Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi dhe kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit; bashkëbiseduam në Bujanoc me Ministren për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritetet, znj.Gordana Çomiq; Ministren e Drejtësisë, znj.Maja Popoviq; Ministren për Punë dhe Çështje Sociale, znj.Darija Kisiq-Tepavçeviq; si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Përpos paraqitjes së gjendjes aktuale kundrejt temave të Planit 7 pikësh dhe çështjes së mosintegrimit të shqiptarëve, ngrita edhe çështjen e mungesës së vullnetit politik nga ana e ministrive të Qeverisë së Republikës së Serbisë për t’i përkrahur projektet tona si Komunë e Preshevës, megjithëse konsiderohemi si një nga komunat më të pazhvilluara të vendit.