Rusia do të paditet nga dy shtete, mësohen edhe arsyet

Rusia do të paditet nga dy shtete, mësohen edhe arsyet

Australia dhe Holanda kanë filluar veprime ligjore kundër Rusisë në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të OKB-së për rrëzimin e fluturimit 17 të Malaysia Airlines në 2014.

Lajmin e ka bërë të ditur qeveria australiane përmes një deklarate të publikuar të hënën, raporton CNN.

Fluturimi i Malaysia Airlines, Amsterdam-Kuala Lumpur, u rrëzua në korrik të vitit 2014 nga një raketë e lëshuar nga rebelët pro-rusë në Ukrainë. Të gjithë 298 personat në bord u vranë.

“Refuzimi i Federatës Ruse për të marrë përgjegjësinë për rolin e saj në rrëzimin e fluturimit MH17 është i papranueshëm dhe qeveria australiane ka thënë gjithmonë se nuk do të përjashtojë asnjë opsion ligjor në ndjekjen tonë të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kryeministri, Scott Morrison.

“Në tetor 2020, Rusia u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga negociatat me Australinë dhe Holandën në lidhje me rrëzimin e fluturimit MH17 dhe refuzoi të kthehej në tryezën e bisedimeve pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Australia dhe Holanda”.

Të dy vendet do të argumentojnë se Rusia i furnizoi separatistët me sistemin e raketave të përdorura në sulm dhe më pas e mori atë përsëri.

Ata thonë se “raketa mund të ishte lëshuar vetëm nga ekuipazhi rus i trajnuar i Buk-TELAR, ose të paktën nga dikush që vepron nën udhëzimet, drejtimin ose kontrollin e tyre.