Deputeti gjerman: I bëj thirrje Italisë që tani ta vendosë në rend dite kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KE

Deputeti gjerman: I bëj thirrje Italisë që tani ta vendosë në rend dite kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KE

Deputeti gjerman, Knut Abraham, i ka bërë thirrje Qeverisë së Italisë që ta vendosë në rend dite kërkesën e Kosovës, për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Përmes një publikimi në Twitter, Abraham tha se pas kësaj, kërkesa e Kosovës të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të shteteve anëtarë të Këshillit të Evropës.

“Koha për të vepruar. I bëj thirrje qeverisë italiane që tani ta vendosë në rend dite kërkesën e Kosovës, në mënyrë që të diskutohet në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës në Torino të premten. Momenti i duhur duhet të përdoret tani”, ka shkruar Abraham në Twitter.

Ndryshe procedurat kërkojnë që një shtet anëtarë i Këshillit të Evropës të propozoj anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave.

Pas kësaj, Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon një opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.

Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme të cilat Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë, transmeton lajmi.net.

Ndryshe janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe e shumë shtete të cilat tashmë i kanë dhënë mbështetje Kosovës pas aplikimit në Këshillin e Evropës, kurse Franca ka shprehur hezitim në këtë çështje.