DISKUTIME RRETH PROCESIT TË REGJISTRIMIT TË POPULLËSISË
Ambasadori i OSBE-së z. Jan Brathu, ministrja për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Shoqëror znj. Gordana Çomiq, dhe Drejtori i Entit Republikan Statistikor në Serbi z. Miladin Kovaçeviq, u pritën sot nga kryetari i komunës së Bujanocit z. Nagip Arifi.
Tema kryesore e diskutimit ishte procesi i regjistrimit të popullësisë që është planifikuar të mbahet prej 1 tetor deri më 31 tetor 2022.
Kryetari Arifi i njoftoi me qëndrimin e tij se çështja e regjistrimit të popullësisë shqiptare varet se sa ka vullnet Qeveria e Serbisë t'i plotësojë kushtet e shqiptarëve, me qëllim që mos të ndodhë ajo që ka ndodhur më 2011.
Ai kërkoi nga të pranishmit që t'i mundësohet regjistrimi edhe qytetarëve që përkohësisht jetojnë në botën e jashtme, që regjistruesit në teren të pranohen sipas propozimeve të kryeshefit të administratës komunale, të mundësohet regjistrimi online, si dhe të aplikohen standardet e regjistrimit si në vendet demokratike.
Gjithashtu, ai kërkoi nga ambasadori Brathu që misioni i OSBE-së në Serbi të jetë garantues për një proces të rregullt të regjistrimit.
Në fund të takimit, kryetari i Bujanocit theksoi se vendimin përfundimtar për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në regjistrim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës do ta marrim në konsultim me të gjitha partitë politike shqiptare.
Nga ana tjetër,ambasadori Brathu theksoi se është duke punuar ngushtë me organet qeveritare që procesi të shkojë mbarë dhe për këtë garantoi se do të ketë një monitorim të madh gjatë përgatitjes dhe implementimjt të procesit të regjistrimit. Ai u shprehë se gjatë procesit të regjistrimit do të përdoren standardet e EuroStatit.
Ministrja Çomiq shprehu gatishmërinë që të dëgjojë të gjitha brengat që i adresojnë politikanët shqiptarë dhe është mjaft e interesuar që procesi i regjistrimit të jetë i pranueshëm për të gjitha pakicat, e poashtu edhe për shqiptarët.
Drejtori i Entit Republikan për Statistika potencoi se të gjithë qytetarët do të kenë rastin të regjistrohen, edhe ata që jetojnë përkohësisht në diasporë.
Ju kujtojmë, që regjistrimi i popullësisë planifikohet të bëhet duke filluar nga 1 tetor 2022 dhe do të zgjasë deri më 31 tetor 2022.