Finlanda dhe Suedia nënshkruajnë protokollin “historik” të anëtarësimit në NATO

Finlanda dhe Suedia nënshkruajnë protokollin “historik” të anëtarësimit në NATO

Raportohet se 30 vendet anëtare të NATO-s kanë nënshkruar protokollet e pranimit për Finlandën dhe Suedinë, duke dërguar për miratim ofertat e anëtarësimit të dy vendeve nordike në parlamentet aleate.

Protokolli nënkupton se Finlanda dhe Suedia mund të bashkohen në takimet e NATO-s dhe të kenë akses më të madh në inteligjencë, por nuk do të mbrohen nga një klauzolë mbrojtëse e aleancës – që një sulm ndaj një aleati është një sulm kundër të gjithëve – deri në ratifikim.

“Ky është vërtet një moment historik. Me 32 kombe rreth tryezës, ne do të jemi edhe më të fortë”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë e NATO-s së bashku me ministrat e jashtëm finlandez dhe suedez.

Ai iu kërkoi aleatëve që ta ratifikojnë me shpejtësi dhe siguroi dy vendet nordike për mbështetjen e NATO-s në ndërkohë.

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, falënderoi NATO-n për mbështetjen e saj dhe tha se mezi pret të punojë së bashku “për të garantuar sigurinë tonë kolektive”.