Në Preshevë dhe Bujanoc, Bislimi dhe Nagavci shpërndajnë libra në gjuhën shqipe

Në Preshevë dhe Bujanoc, Bislimi dhe Nagavci shpërndajnë libra në gjuhën shqipe

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të hënën kanë shpërndarë libra në gjuhën shqipe për disa lëndë në Luginën e Preshevës.

Zëvëndëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, gjatë vizitës së tyre në Luginën e Preshevës, në shkollën “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë dhe "Muharrem Kadriu në Tërrnoc, kanë shpërndarë libra në gjuhën shqipe për disa lëndë të ndryshme për fëmijët shqiptarë.

Në mesin e atyre librave është edhe abetarja e përbashkët për Kosovë dhe Shqipëri. Kjo abetare vjen si rezultat i bashkëpunimit të dy ministrive të Arsimit, të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe dy shtëpive botuese fituese “Dukagjini” dhe “Pegi”.

Gjatë ditës së hënë, Bislimi bashkë me Nagavcin e kanë vizituar edhe deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberin.

Po ashtu, delegacioni nga Kosova, ka pasur takim edhe me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc.

Aty, Bislimi ka thënë se përveç fondit dy milionësh të ndarë për Luginën, do të ketë edhe ndihma të tjera.