• E mërkurë / Oct-05 18:20
  • Kontakt

Presidenti Gjukanoviq propozon shpërndarjen e Kuvendit, Mali i Zi shkon drejt zgjedhjeve të reja

Presidenti Milo Gjukanoviq, i ka dërguar sot kryetares Danijela Gjuroviq propozimin për “shkurtimin e mandatit” të Kuvendit të Malit të Zi.

Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Gjukanoviq thekson se beson se Qeveria e re mund të arrihet vetëm me vendim të qytetarëve në zgjedhje.

Ai ka bërë të ditur se nuk ka krijuar përshtypjen se ka një shumicë të qartë që do të mund të formonte një Qeveri që do të ofronte zgjidhje për probleme shumë të vështira në nivel financiar, ekonomik, juridik, institucional dhe politik.

Siç thuhet më tej, Gjukanoviq, mbrëmë nuk e ka shpallur mandatarin për përbërjen e Qeverisë.

“Nuk kam mundur ta pranoj propozimin për t’ia besuar mandatin për përbërjen e Qeverisë zotit Miodrag Lekiq, të cilin zoti Andrija Mandiq ma ka dërguar dje në emër të partive që kanë fituar shumicën e mandateve në zgjedhjet e vitit 2020, sepse unë besoj se nuk janë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme”, ka thënë Gjukanoviq.

Kujtojmë se një nga liderët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, dje ka njoftuar se i ka dërguar letër presidentit të vendit me propozimin e liderit të Demos, Miodrag Lekiq për mandatar.

Megjithatë, letra nuk përmbante nënshkrimet e 41 deputetëve, gjë që do të garantonte që Lekiq të ketë shumicën për të formuar qeverinë e re.

Prandaj, në përputhje me kompetencat kushtetuese, siç thotë Gjukanoviq, ka paraqitur propozimin për shpërndarjen e Kuvendit të Malit të Zi.

Qeveria e Dritan Abazoviqit u rrëzua më 20 gusht, pasi parlamenti votoi në favor të mocionit të mosbesimit ndaj saj, që u ndërmor pasi kabineti votoi pro-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.