Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është kthyer në Kosovë pa mundur të realizojë vizitën e planifikuar në Beograd.
Bislimi është kthyer prapa 85 km pa mbërritur në Beograd, saktësisht në vendin e quajtur Velika Plana.
Udhëtimi i Bislimit është ndaluar “për shkaqe sigurie” pak para se të arrinte në Beograd.
Bislimi, ishte paraparë që të enjten të merr pjesë në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”, me fillim nga ora 17:00.
Ditën e premte, poashtu ai ishte paraparë të jetë pjesëmarrës në një panel diskutimi, në kuadër të “Belgrade Security Conference”, me temë “Kosova dhe Serbia – Shmangia e rrugës pa dalje”, me fillim nga ora 18:15.
Udhëtimi drejt Beogradit erdhi në ditën e njëjtë kur Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe zyrtarët në Serbi, kanë paralajmëruar se do të ketë barrikada në veri, nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon makinat dhe targat serbe.
Nga 1 shtatori deri më 31 tetor, Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët në Kosovë mund të pajisen me targat RKS (Republika e Kosovës) për të zëvendësuar targat që Serbia i lëshon për ta.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të enjten se paralajmërimet e Prishtinës për zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave në veriun e Kosovës kërcënojnë qëndrueshmërinë, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha ndërkaq se është Serbia ajo e cila po kërcënon me dhunë ndaj një veprimi ligjor të autoriteteve të vendit.