Ardita Sinani ka kujtuar atdhetarin Maliq Kamberin nga Presheva i cili ngriti flamurin kombëtar qysh në vitin 1968 në Preshevë, megjithëse aktet patriotike dhe kontributin kombëtarë e pagoi me përndjekje të vazhdueshme nga regjimi i kohës.
Shkrimi i plotë i Ardita Sinanit
NGRITJA E FLAMURIT KOMBËTAR NGA MALIQ KAMBERI MË 1968 E REVOLTAVE BOTËRORE MISHËRONTE IDEALIN PËR ÇLIRIM KOMBËTAR DHE FRYMËN PËR LIRI UNIVERSALE
Në këto ditë feste e krenarie kombëtare, nuk mund të mos i kujtojmë të gjithë të rënët dhe dëshmorët e kombit, nga të gjitha trojet shqiptare. Vlerë dhe pasuri kombëtare është çdo vepër që kontribuoi në mbajtjen e frymës patriotike të popullit shqiptar. Po të mos ishin ata, nuk do të ishim as ne sot për të festuar dhe kujtuar. Zjarrin e pashuar dhe dashurinë ndaj atdheut e kombit, në gjirin e popullit shqiptar, e kanë mbajtur të ndezur edhe shumë patriotë të cilët kanë dashur që ky zjarr të shihet dhe të rrojë gjatë e thellë në shpirtin e shqiptarëve, jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë. Pra, si këtu në Preshevën tonë dhe në të gjitha trojet tona.
Presheva në Festën e Flamurit e mbanë në kujtesë dhe thellë në gjirin e saj, edhe një emër dhe vepër të lavdisë tonë kombëtare: Maliq Kamberin. Patriotin dhe veprimtarin preshevar i cili padyshim jeton edhe sot në kujtesën tonë. Ky emër pandalshëm ushqen shpirtin dhe ndjenjën tonë kombëtare. Maliq Kamberi ishte personalitet dhe emër i njohur e njëkohësisht i dashur për të gjithë vendasit e tij dhe më gjerë. Ai veproi dhe frymëzoi, pa ndonjë bujë të madhe në kohën më të vështirë për popullin shqiptar të shkaktuar nga pushtimi serb. Ai, për ta madhështuar veprimtarinë e tij edhe më shumë, në vitin 1968, ngriti në Preshevë Flamurin e Skëndërbeut, për ta ngulitur dhe lartësuar përgjithmonë në këto troje identitetin tonë shqiptar. Kjo u bë në një kohë shumë të vështirë në trevën tonë, ku dhuna dhe terrori serb kishin sjellë një situatë të pashpresë. Ngritja e flamurit bëri një kthesë madhështore dhe ngriti moralin në një nivel tjetër për të gjithë atdhedashësit në këto anë. U rrit vetëdija kombëtare dhe u lartësua vlera e simbolit tonë kombëtar, me shqiponjën dykrenare në flamur.
Njëkohësisht duhet ta shënojmë edhe një fakt që njerëzit rrezikonin jetën, burgosjen, persekutimin dhe mirëqenien e tyre në rast se e përdornin flamurin tonë kombëtar si shenjë identifikuese të tyre. Pikërisht ky vit ishte viti kur të drejtat e shqiptarëve në Kosovë u pranuan edhe me kushtetutë dhe kur simbolet tona kombëtare u lejuan të përdoren edhe në institucionet e Kosovës. Kjo ishte edhe një arsye shtesë që e shtyri Maliq Kamberin ta ngriste flamurin në shtëpinë e tij, si një simbol i identitetit shqiptar.
Ai ishte sa modest, po aq edhe i flaktë, në çdo takim me qytetarë, familjarë dhe dashamirë nga të gjitha viset shqiptare. Misioni i tij ishte edukimi, dashuria dhe frymëzimi për çështjen tonë kombëtare. Çdo njeri që e ka njohur dhe e ka takuar flet me admirim për veprat e tij, jo vetëm në vendin e tij Preshevën, por edhe në trojet tjera ku ai ka shkuar.
Prandaj, festën e flamurit e madhështon emri i Maliq Kamberit i cili është i pandashëm nga kjo festë për çdo shqiptarë nga Presheva e më gjerë.
Veprimtaria e tij atdhetare kishte një traditë familjare. Ai ishte i frymëzuar edhe nga gjyshi Kamber Aga i cili më 1878 ishte në mesin e delegatëve të Lidhjes së Prizrenit, si përfaqësues i Preshevës me rrethinë.
Ai punoi krah për krah me patriotë të shumtë e posaçërisht duke e pasur në krah patriotin e shquar Ali Aliu, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Preshevës dhe trevave kombëtare.Vepra e tyre mund të krahasohet me veprën e shumë atdhetarëve shqiptarë, që kurrë nuk u ndalën duke kontribuuar në forma të ndryshme në kultivimin e atdhedashurisë.
Ai ishte i afërt i hapur e i gatshëm të ndihmonte në çdo rast ku kjo kërkohej në të mirë të çështjes kombëtare. Veçanërisht tregonte një afërsi me familjet e të burgosurve politikë, për të cilat kishte një respekt të veçantë.
Në vitet e 90-ta ishte afër rinisë studentore të cilët i frymëzonte me idealin e lirisë për të cilin kërkohej edhe sakrifica.Duke qenë afër tyre, Maliq Kamberi i njihte mirë kërkesat e tyre dhe i mbështeste ata drejt synimit të përgjithshëm kombëtar. Një afërsi të veçantë kishte me heroin Afrim Zhitia te i cili ai e shihte shpresën e një udhëheqësi të popullit në rrugën e lirisë.
Rënia e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut atë e pikëlloi jashtëzakonisht shumë. Ishte një luftë e pabarabartë, në lagjen Bregu i diellit në Prishtinë, kur u ndez shkëndija e rezistencës heroike të Afrimit e Fahriut, përballë dhunës së forcave pushtuese serbe. Rënia e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut ndodhi në një kohë shumë të vështirë, kur edhe u suprimua autonomia e Kosovës nga regjimi i Millosheviqit. Familja e Afrimit ndodhej e shokuar nga rënia e djalit të tyre të ri, por qëndronte krenare. Dikush duhej ta tërhiqte kufomën e Afrimit nga morgu i spitalit. Shumëkush hezitoi për këtë. Duke qenë se ai njihej mirë me familjen e Afrimit dhe sidomos babain e tij, bacën Osman, Maliq Kamberi, falë aftësisë së tij për të reaguar në momente të duhura pa ndonjë bujë të madhe, ishte ai që e tërhoqi trupin e Afrimit nga morgu i spitalit dhe ua dorëzoi familjes. Këtë e bëri në shenjë mirënjohje e respekti që kishte për Afrimin dhe gjithë familjen e tij.
Maliq Kamberi u lind në Preshevë më vitin 1942. Aty edhe mori mësimet e para skollore duke vazhduar më vonë në Gjilan në shkollën e lartë ekonomike. Punoi mësues në fshatin Gare të Karadakut të Preshevës ku u shqua si mësues i mirë. Më vonë u punësua në administratën e Komunës së Preshevës. Aty kishte një presion të paparë nga politika, për shkak të qëndrimeve të tij atdhetare. Meqenëse qëndrimi i tij në atë vend të punës ishte bërë i pamundur për shkak të presionit politik, ai u detyrua ta lëshojë vendin e punës dhe bashkë me familjen u vendos në Prishtinë. Aty u punësua në ndërmarrjen “Magjistrala”. Ndonëse jetonte në Prishtinë, ai asnjëherë nuk e harroi Preshevën, duke e vizituar shumë shpesh.
Maliq Kamberi u nda nga jeta në shkurt të vitit 1990 në moshën 48 vjeçare, duke lënë një zbrazëti të madhe sidomos për popullin e Preshevës dhe për familjen e tij. Varrimi i tij u bë në Preshevë, në vendlindjen e tij të dashur. Ishte i gjatë kortezhi që e shoqëronte arkivolin e tij të mbështjellë me flamur.
Maliq Kamberi do të mbetet gjithmonë në kujtimet tona për bujarinë e atdhedashurinë. Do të mbetet frymëzim i të gjithë ne gjeneratave të reja për të kujtuar me respekt maksimal këtë simbol të flamurit në Preshevën tonë e cila akoma nuk e ka realizuar idealin e Maliq Kamberit: çlirimin e Preshevës dhe bashkimin me Kosovën.