Reagimi i plotë i znj.Ardita Sinani:
Reagim ndaj politikës së qeverisë qendrore për buxhetin e komunës së Preshevës
Qeveria qendrore e Republikës së Serbisë vazhdon të injorojë nevojat thelbësore të qytetarëve të komunës së Preshevës, gjë që është më së shumti e dukshme në mungesën e rritjes adekuate të transfertave të rregullta nga buxheti shtetëror në nivelin lokal. Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të kostove të jetesës, veçanërisht për shkak të inflacionit, i cili nga viti 2020 deri më sot ka arritur gati 20%, dhe vetëm në janar të këtij viti ishte mbi 10%, fondet që i ndahen komunës sonë kanë mbetur pothuajse të pandryshuara. Kjo situatë jo vetëm që pengon zhvillimin ekonomik të komunës, por gjithashtu ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve publike që ofrojmë për qytetarët tanë.
Më shqetësuese është fakti që Trupi Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk ka reaguar ndaj nevojave të rritura të këtyre komunave, veçanërisht sa i përket investimeve në infrastrukturë. Që nga viti 2020, shuma totale e transfertave të dedikuara nuk është rritur në përputhje me nevojat reale. Ndërkohë që në pjesë të tjera të Serbisë ka pasur rritje të investimeve publike dhe mbështetje financiare nga Qeveria e Republikës së Serbisë, rajoni ynë ka mbetur i lënë pas dore.
Nga viti 2020 deri në vitin 2024, pagat në institucionet publike janë rritur për rreth 40%, por këto rritje nuk janë pasuar nga rritje proporcionale në fondet e ndara për komunën tonë. Në kushte të inflacionit të lartë, ruajtja e këtij niveli financimi do të thotë që burimet tona nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat reale të komunitetit lokal.
Kjo sjell pyetjen: A është lënia pas dore e komunës së Preshevës pjesë e një politike më të gjerë të qeverisë qendrore? A po e pengon qëllimisht shteti përparimin e këtij rajoni të Serbisë?
Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Serbisë që të rishikojë politikën e saj dhe të rrisë urgjentisht transfertat për komunën tonë, si dhe që Trupi Koordinues të intensifikojë aktivitetet e tij për përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetjen e zhvillimit. Qytetarët e komunës së Preshevës meritojnë mbështetje dhe trajtim të barabartë si pjesët e tjera të vendit.
Padrejtësia që po i bëhet rajonit tonë, shqiptarëve të Luginës, duhet të korrigjohet sa më shpejt.