Reagimi i plotë i shefit të kabinetit të znj.Sinani, z.Besim Shabani:
Të nderuar qytetarë,
Në përgjigje të shkrimit të fundit të publikuar nga Alternativa lidhur me gjendjen e rrugëve lokale në Komunën tonë, dëshiroj të sqaroj disa çështje që janë përmendur në mënyrë të pasaktë dhe të qëllimshme:
1. Gropat e trashëguara: Është fakt i njohur që gjendja e rrugëve lokale, përfshirë dhe ato që janë aktualisht të dëmtuara, është rezultat i qeverisjes së mëparshme, gjatë kohës kur ish-shefi i kabinetit të z. Shqiprim Arifi ishte në pushtet. Këto probleme nuk janë krijuar brenda pak muajsh, por janë pasojë e keqmenaxhimit të mëparshëm.
2. Gropat e semaforëve: Ato janë krijuar në vitin 2023 dhe që atëherë nuk janë sanuar. Pushteti i kaluar nuk mori masa për të zgjidhur këtë problem të infrastrukturës, duke i lënë qytetarët të përballen me këtë gjendje të mjerueshme.
3. Ngarkimi i komunës me borxhe: Gjatë kohës së qeverisjes së z. Arifi, Komuna e Preshevës është ngarkuar me kontrata të pamenaxhuara që e kanë futur komunën në një borxh prej 7 milion eurosh. Ky është një problem serioz që e kemi trashëguar dhe po bëjmë çmos ta zgjidhim, duke e vendosur në prioritet stabilizimin financiar të komunës.
4. Keqpërdorimi i kontratave: Kontrata që përmendet nga përfaqësuesit e Alternativës është lidhur me një kompani të afërt me militantë të partisë së tyre, dhe është nënkontraktuar tek Saba Bellça. Kjo marrëveshje mund të ishte bërë direkt me nënkontraktorin, duke shmangur ndërmjetësuesin dhe kursyer fondet publike. Kultura e keqpërdorimit të kontratave është një fenomen i vazhdueshëm që po përpiqemi ta ndalojmë.
Përfundimisht, ne mirëpresim kritikat konstruktive, pasi opozita mund të ndihmojë në rritjen e produktivitetit të qeverisjes. Megjithatë, është thelbësore që këto kritika të bazohen në fakte dhe jo në spekulime apo të pavërteta. Qeverisja jonë është e fokusuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zgjidhjen e problemeve të trashëguara, duke i dhënë përparësi transparencës dhe menaxhimit të drejtë të fondeve publike.
Ju faleminderit për vëmendjen!