Rikthehet çështja e urës së Ibrit, ministri Krasniqi thotë se s’ka arsye që ajo të jetë e mbyllur

Rikthehet çështja e urës së Ibrit, ministri Krasniqi thotë se s’ka arsye që ajo të jetë e mbyllur

Edhe pse si fillim ishte temë tejet e “nxehtë” dhe parashihej që hapja e urës së Ibrit të bëhet shpejtë, kjo nuk ndodhi.

Madje tashmë kjo temë as që po diskutohet.

E në lidhje me këtë çështje sot është pyetur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë për media, ministri Krasniqi tha se duke marrë parasysh që situata e veriut të vendit është e qetë, nuk ka asnjë arsye që Ura e Ibrit të qëndrojë e mbyllur.

“Krejt çka mund të shtoj te kjo pjesa e diskutimit për hapjen e Urës mbi Ibër është se kjo urë s’ka asnjë arsye që kjo urë të vazhdojë të jetë e mbyllur. Së paku jo në aspektin e komunikimit të komuniteteve në këto dy pjesë të kryeqytetit, tashmë qytetarët nga veriu kalojnë në pjesën jugore dhe ata nga jugu në pjesën veriore dhe situata është e qetë, e kontrolluar dhe është në atë formë që hapja e urës mbi Ibër s’do të kishte asnjë ndikim”, deklaroi ai.

Krasniqi tha se ministritë e linjës kanë ndërmarrë disa veprime, “ka pasë diskutime me qytetarë nga të dyja anët” dhe përsëriti se “s’ka arsye pse të mos hapet kjo urë”.

“Besojmë thellësisht që këtu s’ka asnjë arsye pse duhet të mos ketë hapje të urës dhe asnjëherë s’mund të kemi ndonjë argumentim tjetër”.

E në lidhje me hapjen e urës s’është deklaruar më as kryeministri.

Duhet përkujtuar që vendet e QUIN-it por edhe SHBA-të kanë porosit që hapja e urës të bëhet vetëm përmes zhvillimeve në kuadër të dialogut, e jo tani.